Fushata sensibilizuese nga aktivistët e LGBT-së në gjimnazet e Tiranës me leje nga Ministria e Arsimit, ka krijuar jo pak debat në opinionin publik.

Debatit i është bashkuar edhe një ish-mësuese në Mirditë, motër Elda Nikolli e cila për tre muaj ka punuar si mësuese në shkollën “Ndrec Ndue Gjoka”.

Ajo tregon me detaje se kur nisi punën, duke e ditur që ajo ishte murgeshë dhe një besimtare e përkushtuar katolike, iu kërkua që në fillim që të mos fliste për fenë, duke qenë se shkolla është një institucion laik.

Por ajo ngre pyetjen se “përse nëpër shkolla nuk pranohet të flitet për dimensionin shpirtëror, siç është ai i fesë, ndërsa shihet si arritje e qytetërimit deviancat seksuale.”

Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, ajo thotë se edhe pse ka dy diploma dhe mbi 6 vite eksperiencë në mësimdhënie, sërish e kanë larguar nga puna.

 

Ja cfare shkruan ajo, në një status në facebook, ku edhe ka shfaqur pretendimin…

“Jetoj në Fan (Mirditë) dhe per tre muaj kam punuar ne shkollen Ndercë Ndue Gjoka.

Kur më morën ne pune me thane ‘kujdes se ne jemi shkolle laike, nuk duhet t’u flasesh nxenesve per fene’, biles, sikur te mos mjaftonte nje dite perfaqesues drejtues te shkolles kane hyre ne klase duke pyetur nxenesit ‘a ju ben mesim kjo, apo ju flet per fene?’, kete ne syte e mi!

Nderkohe qe jetojme ne nje zone, ndoshta e vetmja ne Shqiperi, me tradite katolike prej shekujsh.

Habitem qe ende kemi frike ne institucionet tona te permendim dimensionin shpirteror, i vjeter qe me lindjen e njeriut, ndersa teorit gender na duken si arritja e madhe e qyteterimit tone!

Sidoqofte, edhe pse nxenesit e mi u shprehen te lumtur per mesimin qe beja, me pushuan nga puna, ‘denim pa gjyq’, edhe pse me dy diploma, master dhe 6 vite pune… ka diçka qe nuk shkon….” shkruan Elda Nikolli.

 

Vendimi/ LGBT leje nga Ministria e Arsimit për takime me gjimnazistët

Tashmë aktivistët e LGBT-së do të mund të zhvillojnë lirisht fushatat e tyre sensibilizuese nëpër shkollat dhe gjimnazet e vendit.

Është Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT dhe Pro LGBT e cila ka publikuar një vendim të Këshillit të Ministrave, që iu jep të drejtën atyre për fushata sensibilizuese nëpër ambientet e shkollave të mesme të Tiranës.

“Çfarë na shqetëson në këtë histori është fakti se si Ministria e Arsimit refuzon të marrë anën e saj dhe përpiqet me çdo kusht të tërhiqet nga debati, ndonëse është në fakt institucioni kryesor për zbatimin e Planit Kombëtar të Masave për luftën ndaj diskriminimit të LGBT sanksionuar me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 390, datë 25.5.2016. i kujtojmë Ministrisë së Arsimit se ne nuk hyjmë as natën e as vjedhurazi nëpër shkolla, por këto takime zhvillohen në kuadër të Planit Kombëtar të Veprimit për Personat LGBTI në Shqipëri, strategji e miratuar nga qeveria shqiptare në qershor 2016.

Qëndrimet mohuese të MAS në këtë rast tregojnë edhe njëherë se qeveria ka dështuar të përmbushë angazhimet që vetë ka ndërmarrë që prej dy vitesh”, thuhet në deklaratën e këtyre shoqatave.

Kujtjomë se një veprim i tillë solli reagime të forta në rrjetet sociale, të politikanëve dhe shoqërisë civile, ku nuk mungoi as një përplasje mes ish-Ministrit Ylli Manjani dhe aktivistit Kristi Pinderi.