Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka nënshkruar marrëveshjen për liberalizimin e vizave me shtetin amerikanoqendror të El Salvadorit.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një takimi të Bushatit me homologun e tij nga El Salvadori në godinën e Kombeve të Bashkuara, në New York të SHBA-ve.

Lajmi bëhet i ditur nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, e cila në profilin zyrtar në rrjetet sociale tha se marrëveshja synon të lehtësojë lëvizjen dhe të përmirësojë marrëdhëniet dypalëshe në fushat e interesit të përbashkët.

Në fokusin e ministrave gjatë takimit mësohet se ka qenë edhe kandidatura e Shqipërisë për një vend të përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në vitet 2022-2023.

Por, para se të niseni direkt me një pasaportë në xhep drejt El salvadorit, duke qenë se nuk duhet më vizë, supershendeti.com ju informon për situatën që ju pret.

Kujtojmë këtu që, Zyrtarisht El Salvadori është shteti me numrin më të lartë të vrasjeve në botë, me një rritje të jashtëzakonshme të krimit gjatë viteve të fundit, referuar një shkrimi në “Dailymail”, që ka botuar statistikat për këtë vend.

Me një popullsi pak më shumë se 6 milionë banorë, El Salvadori është shteti më i vogël në Amerikën Qendrore, por shkalla e vrasjeve është krahasuar shpesh me atë të Irakut të shkatërruar nga lufta, sa u përket civilëve të ekzekutuar.

Ka një mesatare prej 22.6 të vrarë çdo ditë, sipas shifrave zyrtare.

El Salvadori kaloi një luftë civile të përgjakshme për 12 vite, e cila përfundoi në 1992, por bandat kriminale kanë mbetur shumë të forta.

Në 2012, paqja e negociuar nga ish-guerilasit dhe liderët fetarë, me mbështetjen e presidentit Mauricio Funes, zgjati për dy vite dhe pastaj përfundoi.

Kjo, sepse qeveria vendosi masa më të ashpra për të burgosurit në burgje.

Për kritikët, kjo kohë u përdor nga bandat për t’u riarmatosur e për t’u bërë më të forta.

Bandat salvadoriane janë pasardhëse të bandave të krijuara në Los Anxhelos në vitet 1980 nga emigrantët, të cilët u larguan nga lufta civile në këtë vend.

SHBA-ja vendosi që shumë nga liderët e tyre t’i deportonte prapë në El Salvador.

Tani ky shtet është copëtuar dhe çdo lagje kontrollohet nga një bandë e caktuar.

Anëtarët e saj i vjedhin rezidentët, i vrasin, rrëmbejnë, përdhunojnë dhe ata bëjnë edhe rojë për të parandaluar sulmet e bandave rivale.

Sipas ekspertëve dhe studiuesve që merren me këto banda, në total në vend janë 70 mijë banditë, pa llogaritur ata të cilët ndodhen prapa hekurave.

Tani, edhe ne shqiptarët mund të shkojmë në këtë shtet, pa viza.

Vetëm se… merrni mirë masat para se të shkelni në El Salvador.