Mjeku nefrolog Arqile Gjikondi: Për rastet e avancuara përdoret një shiringë të vogël, që injektohet pa dhimbje “nga poshtë”

Infeksionet urogenitale po prekin edhe moshat e reja, ndërkohë që rreth 15% e meshkujve vuajnë nga këto probleme”.

Të dhënat bëhen me dije nga mjeku nefrolog, Arqile Gjikondi, i cili përmes kësaj interviste, thekson se marrëdhëniet seksuale me shumë partnerë dhe mënyra e të ushqyerit janë dy nga shkaktarët kryesorë të tyre.

Gjithashtu, ai shpreh nevojën për zbulimin në kohë të tyre, duke shtuar se analiza e thjeshtë e urinës nuk arrin t’i zbulojë këto probleme.

Po ashtu, mjeku bën me dije disa nga mënyrat për parandalimin e problemeve urogenitale te meshkujt si dhe trajtimin e duhur në rast të prekjes prej tyre.

 

Doktor, kur flasim për probleme urogenitale, çfarë kemi parasysh?

Te meshkujt, organet urinare janë dhe organe gjenitale dhe ajo që i lidh këto dy sisteme është prostata.

Prostata është një gjëndër në fund të qeses së urinës.

Në brendësi të prostatës kalojnë kanalet e spermës dhe sperma del jashtë me kanalet e urinës.

Po ashtu, në brendësi të prostatës janë me mijëra fije nervore që janë përgjegjëse për kombinimin e urinimit me ejakulacionin, që çdo mashkull i komandon sipas dëshirës së vet.

Këto fije nervore janë përgjegjëse për gjithë aktivitetin seksual të mashkullit.

Prostata quhet truri i seksit dhe mjekët i japin shumë pak rëndësi kësaj.

Fijet nervore komandojnë libidon (dëshirën seksuale), ereksionin, ejakulacionin dhe kënaqësinë seksuale.

Imagjinoni nëse kjo zonë infektohet apo çrregullohet sesa probleme i sjell mashkullit aktiv, sidomos të rinjve.

Një nga problemet kryesore me të cilin vijnë më shumë pacientët janë dhimbjet e gjithë zonës urogenitale, që nënkupton dhimbje në fund të barkut, dhimbje në rrëzë të kofshëve, në testikuj, dhimbje anale si dhe dhimbje të mesit.

Këto janë dhimbje që mashkullin e çorientojnë, i heqin dëshirën për punë, mbyllen në vetvete, kalojnë në depresion.

Kam parë dhe depresione shumë të thella.

 

Cilat janë moshat më të prekura nga këto probleme?

Vitet e fundit vërejmë mjaft probleme urogenitale te meshkujt e rinj, që përshkruhen shumë pak edhe nëpër libra.

Ndaj është e vështirë edhe për mjekët dhe për pacientët që të gjendet se përse vuajnë.

Kur flas për mosha të reja, nënkuptoj meshkujt nga mosha 16-60 vjeç, që janë seksualisht aktivë.

 

Cilët janë shkaktarët e këtyre sëmundjeve?

Disa i dimë, disa nuk i dimë.

Thuhet se shkaktarët më të përhapur janë infeksionet seksualisht të transmetueshme, dhe kjo është e vërtetë.

Mjaft mikrobe kalojnë nga kanali i urinës në prostatë dhe në indet rreth saj.

Një pjesë tjetër e mikrobeve vijnë nga zorra e trashë.

Rreth 70% e meshkujve që unë vizitoj vuajnë edhe nga zorra e trashë, ose kanë hemorroide, ose janë me kapsllëk, me diarre ose të kombinuar, që vuajnë prej vitesh.

 

Pse janë shtuar këto probleme te moshat e reja?

Kjo mbetet një pikëpyetje.

Një përgjigje e lehtë do të ishte aktiviteti seksual i lirshëm e me shumë femra, që është sot.

Por, gjithsesi nuk jemi të sigurt.

Stresi ka pjesën e vet, por pasi je sëmurë.

Më shumë do të thosha që këto probleme lidhen me mënyrën e ushqyerjes së këtyre djemve, pasi fastfood-et ndikojnë në zorrën e trashë.

 

Çfarë është e rëndësishme për të parandaluar këto infeksione?

Do të çuditeshit po t’ju thosha se këto infeksione prekin personat më të rregullt. 90% e pacientëve të mi nuk pinë duhan, alkool, bëjnë jetë të shëndetshme.

Madje kësaj i thonë edhe “infeksioni i priftit”, sepse kap personat më të rregullt, sikurse supozohet të jetë prifti.

 

Kjo do të thotë se nuk mund të bëhet asgjë për parandalimin?

Për sa u përket infeksioneve seksualisht të transmetueshme, thjesht përdoren masat mbrojtëse.

Ndërkohë, e vetmja gjë me të cilën ia vlen të merren këta persona është rregullimi i zorrës së trashë përmes mënyrës së ushqimit.

Këshillë tjetër është që të mos tentojnë të bien shpejt nga pesha.

Shumë meshkuj vijnë pas 6 muajsh apo një viti tentativash me dieta, palestër për të rënë nga pesha dhe atëherë iu shfaqet ky infeksion.

Kjo pasi prishen balancat e mbrojtjes lokale, që e quajmë ne, dhe në këtë moment mikrobet që nuk janë të dëmshme, duke rënë rezistenca lokale, kthehen në patologji.

 

Cilët janë hapat që duhet të ndërmerren në momentin që një mashkull konstaton se ka probleme?

Masa e parë është vizita te mjeku, por këtu fillon konflikti.

Ai shkon te mjeku, shfaq problemet (dhimbjet, urinimi), dhe për këtë bëhen analizat e urinës, që në përgjithësi dalin normale.

Mjeku me të drejtë thotë që nuk ka asnjë problem, as infeksion.

Ndaj i komunikon pacientit se mund ta ketë psikologjike, gjë që nuk është e vërtetë.

Këtu duhet të ndalemi te analiza e urinës te mashkulli.

Shumica e meshkujve me infeksione urogenitale, analizat e urinës i kanë normale.

Por, nëse një pacient do e bëjë analizën pasi i bëhet një masazh i përshtatur në këtë zonë, atëherë në analizën e urinës do të dalin leukocitet e bardha të infeksionit, sepse infeksioni është në zonën e prostatës dhe jo në kanalin e urinës.

 

Masazhi bëhet nga mjeku apo nga vetë personi?

Më e mira është që të bëhet nga vetë mjeku.

 

Cilat janë kurat për infeksionet urogenitale?

Kur kapet në fillime, ka mjaft shanse që të shërohet, sepse ende nuk është dëmtuar shumë imuniteti apo nuk janë lënë pasoja në organet për të cilat po flasim.

Por është shumë e rrallë që meshkujt të shkojnë brenda tre muajsh te mjeku.

Edhe kur shkojnë, kanë shumë pak simptoma dhe mjekët mjaftohen me një recetë të thjeshtë.

Për fat të keq, kokrra bën efekt për të shtyrë simptomat, por jo për të shëruar.

Atëherë pas tre muajsh, 6 muajsh apo 6 vitesh vazhdojnë të vijnë dhe dëmtimet janë bërë, ndaj është shumë e vështirë që dëmet të rikuperohen, sepse e thashë që është një organ shumë i ndjeshëm.

Në këto raste gjithmonë jepen antibiotikë, plus medikamenteve të tjera, që janë të pafundme sot.

E keqja është që antibiotikët nuk arrijnë përqendrime që duhen në prostatë dhe mjekimet dështojnë.

Këta pacientë shkojnë sa në një doktor në një tjetër, bëjnë pa fund analiza, me muaj dhe vite të tëra, dhe më pas bien në dëshpërim.

Ka shumë raste që ndahen dhe nga bashkëshortet e të dashurat.

 

Çfarë rekomandohet në këto raste?

Personalisht unë rekomandoj mjekimin me dy apo 3 antibiotikë njëkohësisht, por me periudhë të zgjatur 3-6 javë, dhe kam vërejtur që ka shumë më tepër efekt shërues sesa mjekimi me një antibiotik.

Në rastet kur nuk ka efekte ose kur pacientët janë në faza shumë të rënduara edhe pse kanë kaluar fazën e kurimit me medikamente, unë kaloj në anën e kundërt, që do të thotë, jo marrje e antibiotikut nga goja, por bëj që antibiotikët të merren nga poshtë, me një shiringë të vogël, pa dhimbje, duke bërë që ata të qëndrojnë në zorrën e trashë dhe vetë zorra e trashë i thith dhe i çon ‘te komshiu’, sepse një membranë i ndan.

Ilaçi shkon i përqendruar dhe me efekte shumë më të mira se antibiotikët nga goja.

 

A kemi shifra të personave të prekur nga këto infeksione?

Në rang popullate ka statistika që thonë se rreth 15% e meshkujve të rinj, që janë seksualisht aktivë (15-60 vjeç), vuajnë.

Dikush me një simptomë, dikush me diçka tjetër.

Praktikisht kemi një barazim: po aq sa vuajnë femrat nga infeksionet urinare, po aq po vuajnë edhe meshkujt.

Domethënë është një numër mjaft i madh, por në krahasim me numrin e meshkujve që kanë simptoma, numri i atyre që shkojnë te mjeku është tmerrësisht shumë i vogël.

Pra e vuajnë në heshtje.

Është problem shumë intim.

Jo vetëm që nuk shkojnë te mjeku, po as shokut nuk i tregojnë, as gruas, madje tek unë vijnë mjekohen fshehurazi, dhe kjo e zvogëlon shumë numrin e personave që vijnë dhe kërkojnë ndihmë.

Por unë e theksoj që, sa më shpejt, aq më optimale është zgjidhja.

Megjithatë, për të gjithë ka një zgjidhje: dikush do e zgjasë më tepër mjekimin, dikush do vuajë më shumë me ilaçe, dikush më pak: është individuale për çdo person.