Asperger është pjesë e spektrit të autizmit dhe sipas ekspertëve nuk shoqërohet me simptoma aq të ashpra sa autizmi.

Pra në përgjithësi këta fëmijë kanë disa kufizime më të lehta në lidhje me të ndërvepruarit.

 

Cilat janë disa nga simptomat e sindromës Asperger?

• Kanë vështirësi për të krijuar shoqëri, pra nuk janë në gjendje të ndërveprojnë në fushën sociale. Ata e kanë të vështirë të flasin me dikë tjetër dhe të kryejnë aktivitete në grup.

• Vuajnë nga mutizmi selektiv. Si ta kuptojmë? Fëmija juaj në këtë rast do të flasë vetëm disa fjalë dhe vetëm me disa persona, duke qëndruar i heshtur ndaj të panjohurve. Kjo gjendje mund të kurohet me anën e terapive.

• E kanë të vështirë të kuptojnë atë që ndien tjetri, pra nuk e kanë të zhvilluar ndjenjën e empatisë. Ata nuk e kuptojnë kur tjetri mërzitet nga një veprim apo fjalë që thonë.

• Nuk janë në gjendje të krijojnë kontaktin me sy apo ta forcojnë atë. Edhe nëse jeni duke i folur, shikimi i tij nuk do të kryqëzohet me tuajin. Ata nuk e kuptojnë sa i rëndësishëm është kontakti me sy në lidhje me marrëdhëniet sociale.

• Ekspertët e konsiderojnë këtë sindromë si aktive por të çuditshme, pra disa fëmijë mund të krijojnë miqësi të ngushta me dikë, dhe të tjerë mund të përpiqen të rrethohen nga njerëz, por jo të krijojnë një lidhjë të ngushtë.

• Kanë interesa të ngushta në lidhje me një veprimtari. Ata mund të kenë ecuri jo të mirë në shkollë por kjo nuk tregon se ata nuk kanë interesa të veçanta. Interesat e tyre ka gjasa të jenë shumë të ngushta dhe të fokusuara. Ata mund të pëlqejnë të luajnë video lojëra, të vizatojnë, etj. Një aktivitet i caktuar e fokuson mendjen e tyre në diçka dhe i krijon një ndjenjë rehatie.

• Ndihen keq kur ndryshon rutina e tyre, pra futen në ankth. Pra nëse doni ta mbani të qetë fëmijën tuaj me këtë sindromë duhet të ndiqni me përpikmëri rutinën e tij.

• Kanë aftësi të dobëta motorike. Ata mund të kenë vështirësi në të shkruar, në koordinimin e syve, etj.

Kujdes! Ky artikull është me qëllim informues dhe jo diagnostikues! Këtë gjë mund ta bëjë vetëm mjeku, por nëse dyshoni se fëmija juaj vuan nga sindroma Asperger (duke u bazuar edhe tek simptomat e paraqitura më sipër), duhet të shkoni menjëherë tek specialisti!