Kjo ndoshta mund të jetë hera e fundit që ora ndryshohet.

Këtë të diel akrepat e orës do të ndryshojnë, duke u shtyrë me 60 minuta mbrapa.

Lëvizja e akrepave bëhet duke u gdhirë e diela, në orën 03:00 të mëngjesit.

Ky fenomen ndodh dy herë në vit: në javën e fundit të Tetorit dhe në të dielën e fundit të Marsit, kohë kur ora shkon para.

Pas shumë dekadash Bashkimi Europian pritet që të marrë një vendim historik për mos ndryshimin e orës dimërore.

Nëse miratohet që ora të mos ndryshojë, vendimi do të hyjë në fuqi në Tetor të vitit 2019.

 

Çfarë do të ndodhë në Shqipëri nëse nuk ndryshohet ora?

Nga Gjergj Erebara

Një vrojtim i kryer nga Bashkimi Europian zbuloi se shumica dërrmuese e të anketuarve në vendet anëtare ishin kundër shqetësimeve që i krijon ndryshimi i orës në pranverë dhe në vjeshtë, një praktikë që ka lindur një shekull më parë me qëllim të kursimit të energjisë gjatë muajve të verës.

Kjo mjaftoi që presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker të deklaronte se BE mund të miratojë heqjen dorë nga ndryshimi i orës.

Kjo nuk do të thotë se të gjitha vendet do të heqin dorë, por që vendet anëtare mund të vendosin nëse duan ta ndryshojnë orën apo jo.

Nëse Shqipëria vendos të mbajë orën verore, ose atë dimërore, disa komplikacione të pakëndshme pritet të lindin.

Aktualisht, ora verore në Shqipëri nënkupton që në ditën më të gjatë, (20 qershori), dielli lind rreth orës 4.10 të mëngjesit dhe perëndon rreth orës 8.30 të mbrëmjes.

Ora e dimrit nënkupton që në ditën më të shkurtër të vitit, (21 dhjetor), dielli të lindë rreth orës 7.10 të mëngjesit dhe të perëndojë rreth orës 4.30 të pasdites.

Vendet e hemisferës perëndimore filluan ta përdorin orën verore gjatë Luftës së Parë Botërore dhe arsyeja ishte thjeshtë kursimi i energjisë.

Një orë diell në mëngjes është e papërdorshme sepse njerëzit vijojnë të flenë deri sa të vijë orari për të vajtur në punë ndërsa në mbrëmje një orë ditë shtesë kursen nevojën për ndriçim.

Jo të gjithë janë të bindur se kursimi i energjisë nga ndryshimi i orës është real ose është në përmasa të tilla që ia vlen në krahasim me stresin e shkaktuar nga ndryshimi.

Ndriçimi përbën një pjesë të vogël të energjisë totale të konsumuar dhe sistemi që prodhon energjinë elektrike në shumicën e vendeve është i tillë që prodhon në vijimësi dhe ka fleksibilitet të ulët për të prodhuar më pak kur konsumi është më i vogël.

Arsyeja se pse ora ndryshon gjatë verës duke u afruar me një orë është që në orët jo të përdorshme të ditës në mëngjes të hiqet një orë dhe të shtohet në mbrëmje, kur njerëzit janë joaktivë.

Nëse ora e dimrit do të mbahej edhe gjatë muajve të verës, kjo do të thoshte që në Shqipëri dielli të lindte në 3.30 dhe të perëndonte në 7.30.

Kjo do të thotë gjithashtu që nëse Shqipërisë do t’i duhet të marrë një vendim për këtë çështje, ka pak logjikë që ky vendim të jetë për mbajtjen e orës së dimrit edhe gjatë muajve të verës.

Më shumë logjikë do të kishte mbajtja e orës së verës edhe gjatë muajve të dimrit. Kjo gjithsesi nuk do të ishte pa pasoja.

Me orën aktuale të dimrit, dielli lind të orën 7.10 ndërsa shumica e aktivitetit të familjeve dhe punëtorëve nis gjithashtu rreth kësaj ore.

Prindërit dërgojnë fëmijët në çerdhe, kopështe apo shkolla para orës tetë dhe puna në shtet fillon gjithashtu më 8 e puna në një pjesë të aktivitetit privat fillon më 9.

Me orën e verës, kjo do të thotë se shqiptarët do të duhet të zgjohen ende pa zbardhur dhe të bëjnë rrugën nga shtëpia për në kopësht, shkollë apo punë në errësirë.

Alternativa tjetër, mbajtja e orës së dimrit edhe gjatë muajve të verës, ka gjasa do të sillte kosto të mëdha pasi perëndimi do të ishte në orën 7.30 dhe disa orë me diell në mëngjes do të ishin krejtësisht të papërdorshme.

Në të gjitha rastet Shqipëria ka të drejtë të zgjedhë të vijojë me sistemin aktual…