Mjekja kardiologe, Dr. Daniela Teferici: Shenjat e para që manifeston sëmundja, të cilat nisin vetëm atëherë kur ngushtimi i arterieve është mbi 70%.

 

Hipertensioni, diabeti, trashëgimia, pirja e duhanit, shtimi i nivelit të yndyrave në gajk dhe jeta sedentare janë faktorët më potencialë, të cilët ndikojnë në zhvillimin e sëmundjes ishemike të zemrës.

Sipas mjekes kardiologe, Daniela Teferici, të gjithë këta faktorë janë të modifikueshëm, pra mund të ndërhyhet, përveç trashëgimisë.

Por nëse mbahen nën kontroll faktorët e tjerë, pohon mjekja, i japim shanse më pak një personi që në të ardhmen të zhvillojë sëmundje ishemike të zemrës.

“Në rast se personi vuan nga tensioni i lartë, patjetër që duhet ta mjekojë atë.

Në qoftë se është diabetik, duhet të mbajë në shifra të kontrolluara diabetin.

Dihet që personat që vuajnë nga diabeti kanë një risk më të lartë në raport me të tjerët për të zhvilluar sëmundjen ishemike të zemrës”.

Në intervistë, Teferici ndalet edhe te shenjat e para që manifeston sëmundja, të cilat nisin vetëm atëherë kur ngushtimi i arterieve është mbi 70%.

Tipike, sipas saj, është dhimbja e gjoksit, por jo çdo dhimbje gjoksi është tregues për sëmundje ishemike të zemrës.

Dhimbja e gjoksit, që vjen nga ngushtimi i arterieve koronare, është një dhimbje që kryesisht lokalizohet në gjoks me përhapje midis shpatullave, ose mund të përhapet drejt nofullës së poshtme.

Ndërsa në rastet më të përparuara, pra kur ndodh mbyllja e enës së gjakut, është një urgjencë mjekë- sore, pasi kemi të bëjmë me atë që njihet si infarkti akut i miokardit, i cili trajtohet vetëm në kushte spitalore.

Një shenjë tjetër është vështirësia në frymëmarrje dhe rënia e aftësisë fizike.

Doktoresha ndalet edhe te metodat e trajtimit të sëmundjes dhe dieta që rekomandohet për të parandaluar shfaqjen e sëmundjes, e cila ka predispozitë të rritet me rritjen e moshës.

Çfarë është sëmundja ishemike e zemrës?

Sëmundja ishemike e zemrës është vuajtja e muskulit të zemrës për oksigjen.

Pra, mund të ndodhë ndërprerja e plotë e furnizimit me gjak e muskulit të zemrës, që në këtë rast është infarkti, ose mund të jetë një mungesë kronike nga bllokimi i pjesshëm i arteries koronare, e cila shfaq shqetësime gjatë sforcimeve apo aktivitetit fizik.

Pra, sëmundja ishemike e zemrës është e barabartë me vuajtje për oksigjen e muskulit të zemrës.

 

Cilët janë shkaktarët që ndikojnë?

Shkaku kryesor është sëmundja aterosklerotike e zemrës, që përkthehet në akumulim, grumbull gradual të yndyrës, kolesterolit, triglicerideve, të cilat me kalimin e viteve formojnë ato që quhen pllaka aterosklerotike.

Mbi to vendosen më pas trombocitet.

Pllaka shkakton ngushtim të arterieve koronare apo enëve të gjakut, të cilat ushqejnë zemrën, kjo gjë shpie më pas në vuajtjen kronike të muskulit të zemrës.

Zakonisht, shenjat e para nisin kur ngushtimi i arterieve është mbi 70%.

 

Le të mbetemi te shenjat e para, cilat janë ato?

Ankesa më tipike është dhimbja e gjoksit, por jo çdo dhimbje gjoksi është tregues për sëmundje ishemike të zemrës.

Dhimbja e gjoksit, që vjen nga ngushtimi i arterieve koronare, është një dhimbje që kryesisht lokalizohet në gjoks me përhapje midis shpatullave, ose mund të përhapet drejt nofullës së poshtme.

Është një dhimbje që mban gjithmonë më pak se 5 minuta, pra nuk zgjat shumë. Kur shfaqet në sforcim, me fillimin e sforcimit fillon edhe dhimbja, ndërsa me ndalimin e sforcimit pushon edhe dhimbja.

Në rastet më të përparuara, pra kur ndodh mbyllja e enës së gjakut, është një urgjencë mjekësore, pasi kemi të bëjmë me atë që njihet si infarkti akut i miokardit, i cili trajtohet vetëm në kushte spitalore.

Një shenjë tjetër është vështirësia në frymëmarrje dhe rënia e aftësisë fizike.

Pra, ato punë që mund të kryheshin gjatë aktivitetit të përditshëm, nuk mund të bëhen dot më, sepse ndien këputje, lodhje, marrje fryme, bezdi, diskonfort në gjoks.

Këto shenja mund të jenë shfaqje të sëmundjes ishemike të zemrës.

Mund të ndodhin shpesh si nauze, pra të përziera ose të vjella dhe shpeshherë ngatërrohet me stomakun, sepse mendohet se mund të jetë problem gastrik, por në fakt fshihet pas një ngushtim i arterieve koronare. Infarkti inferior është ai i pjesës së poshtme të muskulit të zemrës dhe duke qenë në afërsi me stomakun, manifeston këto shenja.

 

Cilat janë moshat më të rriskuara?

Me rritjen e moshës rritet edhe mundësia për shfaqjen e sëmundjes aterosklerotike.

Mosha e rritjes së rrezikut për zhvillimin e kësaj sëmundjeje është 45 vjeç për meshkujt dhe mbi 55 vjeç për femrat.

Më lart përmendëm faktorin gjenetik, duhet të nënvizoj se trashëgimia ka ndikim kur babai, vëllai ose kushëriri i brezit të parë ka bërë infarkt miokardi apo vdekje të papritur nën moshën 55 vjeç për meshkujt dhe për femrat nën 65 vjeç.

Sa të kërcënuara janë moshat e reja?

Moshat e reja janë shtuar shumë veçanërisht kohët e fundit.

Ne sot po marrim rezultatin e mënyrës së jetuarit në 20 vitet e fundit.

Kjo ka bërë që vendi ynë të renditet i pari në Europën Juglindore.

Ka infarkte edhe në moshën mbi 30 vjeç.

 

Cilët janë faktorët e rriskut?

Faktorët e rrezikut janë hipertensioni, diabeti, trashëgimia, pirja e duhanit, shtimi i nivelit të yndyrave në gjak dhe jeta sedentare.

Të gjithë këta janë faktorë që ne mund të ndë- rhyjmë, pra janë të modifikueshëm, përveç trashëgimisë, ku nuk mund të ndërhyhet dot.

Por duke eliminuar faktorët e tjerë, i japim shanse më pak një personi që në të ardhmen të zhvillojë sëmundje ishemike të zemrës.

Pra, në rast se personi vuan nga tensioni i lartë, patjetër duhet ta mjekojë atë.

Në qoftë se është diabetik, duhet të mbajë në shifra të kontrolluara diabetin.

Dihet që personat që vuajnë nga diabeti kanë një risk më të lartë në raport me të tjerët për të zhvilluar sëmundjen ishemike të zemrës.

Po ashtu duhani është një nga vrasësit e enëve të gjakut.

Fatkeqësisht, sot shumë pak janë të ndërgjegjësuar për ta lënë duhanin.

Aktiviteti sportiv ka pafundësisht të mira.

Të gjithë këta faktorë rreziku kanë efekte zinxhirë.

Një obez është më i prirur për të zhvilluar diabet, por duke ushtruar aktivitet fizik, ulim obezitetin dhe duke ulur obezitetin, reduktojmë mundësinë për zhvillimin e diabetit.

Rritja e yndyrave apo kolesterolit të keq (LDL), i cili është agresiv për enët e gjakut, pasi çon në formimin e pllakave aterosklerotike.

Aktiviteti fizik ul ndjeshëm nivelin e kolesterolit të keq dhe rrit nivelin e kolesterolit të mirë.

Përveç kësaj, çon në normalizim të shifrave të tensionit arterial.

Është e ditur që një person mbi peshë ka rritje të kolesterolit dhe zhvillon diabet e ka hipertension.

Me aktivitetin fizik reduktohet probabiliteti për shfaqjen e tyre.

 

Stresi a ndikon?

Po, ndikon shumë, por është një faktor që ne mund ta limitojmë.

Nuk mund ta zhdukim, por duhet ta mbajmë nën kontroll.

Pra, modifikimi i emocioneve, duke i dhënë peshën që i takon çdo problemi, është një punë e mirë për vetëmenaxhimin e stresit.

Te të sëmurët diabetikë, shenjat e sëmundjes nuk manifestohen, kjo e bën të vështirë diagnostikimin në kohë…

Diabetikët kanë një klinikë më të vakët dhe më pak të shprehur.

Pra, nuk shfaqin shenja specifike.

Për shembull, nuk kanë dhimbje të forta.

Ata mund të kalojnë një infarkt miokardi, pa e ditur që e kanë kaluar.

Shenjat më të zakonshme në këto raste janë pak marrje fryme, anoreksi, rënie të kapacitetit ushtrimor.

Pra, ankesat jo specifike që nuk të orientojnë drejt sëmundjes ishemike.

Por një doktor i kujdesshëm nuk duhet t’i nënvlerësojë këto shenja te një pacient diabetik.

Shpeshherë ne nuk nisemi vetëm nga marrja e anamnezës, historikut të sëmundjes, por kemi edhe testet e diagnostikimit të sëmundjes që janë të rëndë- sishme.

Përveç EKG-së, është edhe prova ushtrimore, me anë të së cilës verifikojmë sesi ushqehet me gjak zemra gjatë sforcimit.

Ky test na vjen në ndihmë për të parë nëse pacienti ka sëmundje ateriokoronare ose jo.

A mund të parandalohet sëmundja ishemike e zemrës?

Sëmundja ateriosklerotike fillon shumë më përpara sesa të japë shenjat.

 

Si mund të vihet re kjo?

Kjo mund të vihet re, por duke ditur faktorët e rrezikut dhe faktorët e rrezikut janë shumë lehtë të identifikueshëm.

Duke i njohur këta faktorë, edhe parandalimi primar është shumë më i lehtë.

Sot mund të bëhet trajtimi në kohë, por parandalimi është shumë herë më i rëndësishëm.

 

Komplikimet që mund të sjellë?

Komplikacioni më madhor është humbja e jetës.

Kjo ndodh për shkak të aritmisë vdekjeprurëse, ose kur infarkti zë pjesën më të madhe të muskulit të zemrës.

Kur arrin të mbijetojë, një nga komplikacionet është insuficienca kardiake.

Ndodh rimodelimi i zemrës, për arsye se një pjesë e muskulit të saj cikatrizohet dhe pjesa tjetër që është normal mundohet të kompensojë tkurrjen që të arrijë hedhjen e gjakut.

Por, kur është infarkt i përhapur, pjesa më e madhe e muskulit del jashtë funksionit pompë, pra nuk e bën më funksionin tkurrës, në këtë mënyrë zemra punon me një kapacitet më të ulët në raport me një zemër normale.

 

Cilat janë metodat e trajtimit?

Trajtimi është në dy mënyra.

Fillon gjithmonë trajtimi medikamentoz, i cili e vë zemrën që vuan për oksigjen në kushte më të përshtatshme, pra ul ngarkesën, tensionin e gjakut, frekuencën dhe pas bërjes së koronarografisë vendoset mënyra e trajtimit, që është stentimi.

Stentimi është vendosja e rrjetave metalike brenda enës së gjakut, të cilat sjellin hapje të ngushtimit të krijuar, apo nëpërmjet ndërhyrjes kirurgjikale.

Këto varen nga rezultati i koronarografisë p.sh. në një diabetik, ku ngushtimet janë në shumë enë, rekomandohet ndërhyrja kirurgjikale, ndërsa kur ke një apo dy enë të ngushtuara vihet stenti.

Pra është një vendim që merret nga mjeku në varësi të numrit të ngushtimeve dhe lokalizimit të këtyre ngushtimeve.

Në çdo rast, sikundër stentimi, edhe ndërhyrja kirurgjikale do të shoqërohet me mjekimin medikamentoz gjatë gjithë jetës.

 

Risku i përsëritjes së sëmundjes, çfarë këshillohet për ta parandaluar?

Faza e mëvonshme ka një rëndësi të jashtëzakonshme

. Këshillohet që të ndërpritet konsumimi i duhanit prej atyre që janë duhanpirës.

Rekomandohet që të ushtrohet sa më shumë aktivitet fizik dhe të mos neglizhohet trajtimi me medikamente.

Dieta ushqimore ka po ashtu shumë rëndësi, jo yndyra shtazore, por vetëm bimore, kryesisht vaji i ullirit, ngrënia e peshkut, eliminimi në pjesën më të madhe i mishit të kuq.

Sugjerohen sallatat, perimet dhe frutat.

Kjo dietë këshillohet jo vetëm pas sëmundjes, por edhe më parë për të bërë të mundur parandalimin e saj/Panorama.

 

SIMPTOMAT E SËMUNDJES ISHEMIKE

Simptomat nuk janë të njëjta tek të gjithë të sëmurët.

Tek dikush mund të shfaqen disa prej tyre, ndërsa tek dikush tjetër mund të paraqiten të tjera.

Më të shpeshtat janë:

– Dhimbja e gjoksit (Angina pektorale).

Shpesh kjo dhimbje shtrihet në drejtim të qafës ose të shpatullës. Mund të shoqërohet me dhimbje ose me mpirje të duarve.

Kjo ndodh sepse arteriet nuk dërgojnë në muskulin e zemrës sasinë e duhur të gjakut.

Karakteristike është se dhimbja lehtesohet ose pushon kur ndalojmë aktivitetin fizik. Nganjëherë angina mund të paraqitet dhe si dhimbje stomaku.

– Lodhje e përgjithshme.

– Rrahje të krahërorit.

– Vështirësi në frymëmarrje.

– Aritmi të ndryshme.

– Pothuajse 25% e të sëmurëve mund të mos ndjejnë fare dhimbje gjoksi ose simptoma të tjera, pavarësisht nga fakti se zemra e tyre kalon ishemi.

Ky rast quhet “anginë e heshtur” dhe ndodh kryesisht tek të sëmurët diabetikë, por përmban të njëjtin rrezik për atak në zemër sikurse angina simptomatike.

– Nëse mbi sipërfaqjen e pllakës atherosklerotike krijohet tromb (gjak i mpiksur) atëherë arteria bllokohet plotësisht, duke shkaktuar vdekje të pariparushme të muskulit të zemrës, që quhet infarkt i miokardit.

– Diagnostikimi i sëmundjes ishemike bëhet kryesisht me elektrokardiogram (EKG), eko zemre (ECHO), test biçiklete ose kateterizim të zemrës.

Por ka edhe metoda të tjera, të cilat mund t’i përdorë grupi mjekësor, nëse do të jetë e nevojshme.