Kombinimet e shijeve janë si kombinimet e notave muzikore. Me merak dhe fantazi mund të krijosh kryevepra, por nëse i kombinon nxitimthi dhe pa kujdes, rezultati mund të jetë katastrofë.

 

Kripa me ëmbëlsirat

Kur pyetën njërin prej pasticierëve më të njohur francez se cili ishte elementi më i rëndësishëm i ëmbëlsirave të tij, ai u përgjigj “kripa”.

Hidhuni ëmbëlsirave tuaja disa kokrra kripë dhe ëmbëlsirat tuaja do të kenë një dimension krejt tjetër

 

Mustarda me frutat

– Ky është një kombinim klasik dhe i testuar prej shumë dhjetëvjeçarësh tashmë.

Gatuani mishërat e gjuetisë, gicin apo rosat të lyera me mustardë, e të shoqëruar me mollë jeshile, ftonj apo dardha, dhe “fitoren” do ta keni në xhep…

 

Karkalecat me pançetën

– Ky s’është kombinim, është dashuri me shikim të parë.

Në tigan apo në zgarë, sido që t’i gatuani, ëmbëlsia e karkalecave do të ndërthuret me kripën dhe yndyrën e pançetës, duke krijuar një shije komplekse dhe të pakrahasueshme me asgjë tjetër.

 

Luleshtrydhet me piper të zi dhe çokollatë

– Për këtë kombinim s’po bëj asnjë koment, thjesht po ju përshkruaj një procedurë.

Spërkatini luleshtrydhet me piper, zhytini në çokollatë të shkrirë dhe ëndërroni…

 

Ngjalat me domatet turshi

– Spërkatni ngjala të pjekura në zgarë me domate turshi të grira hollë dhe të përziera me gjethe të freskëta majdanosi.

Rezultati do të jetë hyjnor.

Aciditeti i domateve turshi dhe freskia e majdanosit do të ekuilibrojnë më së miri yndyrën e ngjalave.

Si pasojë, do të duhet një vetë kontroll me të vërtetë i fortë, që të ngeleni vetëm në një rracion…

Mund të përdorni dhe turshi të tjera në vend të domates, por rezultati s’do të jetë i njëjtë.

 

Mishërat e gjuetisë me çokollatë puro (ose 10%)

– Shtoni një copë të vogël çokollate puro në salcën e bërë me mishin e lepurit të egër, derrit të egër apo të drerit dhe do ta kuptoni se çfarë dua të them.

 

Rozmarina me portokallin

Shtojini kekut me portokalle pak rozmarinë të grirë, përgatisni një salcë me lëng portokalli dhe gjethe rozmarine për të shoqëruar mish gici të pjekur në furrë; Zieni qumësht me një degë rozmarinë në të, kullojeni, shtojini lëkurën e grirë të një portokalli dhe përdoreni për të bërë akullore…