“Urime shpirti jem” është kënga më e re e Sabri Fejzullahut, e cila është publikuar disa ditë më parë.

I ftuar në emisionin “Prive” për të folur për këngën e tij të re, ai zbuloi edhe pasionin e tij të madh për kafshët.

Këngëtari legjendar u shpreh se në shtëpinë e tij, kujdeset për katër dhi si dhe për 150 pula.

“Unë jam njeri që mbaj dhi të kuqe, atje në Bardhosh ku jetoj dhe 100 deri në 150 pula të shtëpisë.

Jam adhurues më i madh i pulave dhe i dhive” – tha Sabri Fejzullahu.

Dhe sigurisht që të kujdesesh për kafshët, të sjell edhe të mira në ushqime.

Fejzullahu tregoi se është shumë i kujdesshëm për ushqimin bio, e për këtë arsye e përgatit vetë kosin dhe djathin në shtëpi.

“Kosin dhe djathin nuk e blej asnjëherë, por e bëj vetë.

Jam shumë marakli për gjërat bio” – u shpreh Sabri Fejzullahu, teksa sqaroi hap pas hapi procedurën, si një mjeshtër i vërtetë.

Por ky nuk është vetëm një pasion për këngëtarin e hitit “Fshatarja”, pasi ai ka përfunduar studimet në degën e blegtorisë.

“Unë kam mbaruar shkollën e mesme bujqësore në Prishtinë, degën e blegtorisë.

Sepse në atë kohë ka qenë shumë e rëndësishme blegtoria dhe bujqësia, sepse në këtë mënyrë mund të siguroje bukën e gojës” – përfundoi këngëtari Sabri Fejzullahu.