Dr. Anila Sevdari, mjeke pediatre: Shenjat si dallohet “kolla e njomë” dhe “kolla e thatë”, rastet se kur temperatura përbën kërcënim serioz për shëndetin

Kolla dhe temperatura cilësohen mekanizma mbrojtës, të cilët trupi i aktivizon për t’u vetëmbrojtur përballë shqetësimeve të ndryshme që po kalon.

Nuk janë sëmundje por shenja që sinjalizojnë probleme të pranishme në trup.

Për këtë arsye, veçanërisht prindërit duhet të tregojnë kujdes për fëmijët e tyre në rast të shfaqjes së kollës dhe temperaturës, pasi tregon se diçka nuk shkon mirë; pra janë një shenjë me rëndësi që nuk duhen nënvleftësuar asnjëherë.

Në këtë intervistë Anila Sevdari, mjeke pediatre në Qendrën Shëndetësore Nr. 9 në Tiranë tregon shenjat se si mund të dallojmë atë që quhet “kollë e njomë” dhe “kollë të thatë”, rastet se kur temperatura përbën problem, deri në kërcënim serioz për shëndetin.

Mjekja pediatre po kështu iu drejton apel prindërve që të mos u drejtohen direkt farmacive për të marrë shurupe apo ilaçe pa u konsultuar me mjekun, pasi ndonëse e qetëson për momentin problemin, nuk siguron trajtimin e plotë dhe në një të ardhme jo të largët, shqetësimi të përsëritet edhe më i rënduar.

Nëse një prind has te fëmija kollë, kur duhet të shqetësohet? Si hetohet nëse është një kollë e thjeshtë apo tregon për praninë e një ftohjeje?

Kohëzgjatja ka të bëjë me origjinën e kollës, kolla mund të jetë me origjinë termike – nga temperatura, por mund të jetë mekanike – një trup i huaj në rrugët e frymëmarrjes jep kollë, mund të jenë problemet me ndërtimin anatomik, që janë edhe më të rrallat, por më e shpeshta janë kolla alergjike, sezonale nga temperatura.

Si dhe pertusi apo kolla e mirë siç njihet nga njerëzit etj.

Momenti që kolla bëhet shqetësuese sepse fëmija duket i lodhur, kollitet shpesh ose është një kollë që nuk e lë të bëjë aktivitetin e vet, të luajë, të ushqehet, duhet dërguar menjëherë te mjeku.

Kolla me natyrë alergjike është një kollë që të zë gjatë natës, nuk lë të flejë gjumë, fëmija bëhet i axhituar, nuk fle gjumë i qetë.

Varet shumë edhe nga sezoni dhe mënyra sesi fillon një kollë.

Nëse kolla fillon gradualisht duhet parë ecuria, zakonisht fillon e shpeshtohet, një herë fillon kolla e thatë, pastaj fillon e bëhet produktive me sekrecione.

Këto tregojnë që kjo është kollë që po agravon.

Në qoftë se është një kollë që fillon menjëherë, fëmija është duke luajtur, ndërkohë që nuk kishte asnjë shqetësim dhe ishte thjesht duke luajtur, këto janë raste që janë më akute, më emergjente sepse tregon që mund të ketë gëlltitur diçka, mund të jetë një trup i huaj në rrugët e frymëmarrjes, që provokon kollën.

Këto janë urgjenca, futen në urgjenca pediatrike.

Nuk duhet hezituar për asnjë moment.

Pra dallimi bëhet?

Tek shpeshtësia e kollës dhe kohëzgjatja në ditë, në kohë.

Rëndësi të veçantë ka edhe mosha e fëmijës, nëse fëmija është 0-1 vjeç prindërit e vënë re ndryshimin e gjendjes brenda 24 orëve.

Nëse shikojnë që ky fëmijë nuk pi mirë, është i axhituar, ka një kollë që s’e lë të flejë brenda 24 orëve duhet patjetër t’i drejtohen mjekut për ndihmë mjekësore.

Shenjat kryesore që bën dallimin mes kollës normale dhe një kollë që sinjalizon ftohjen, me ulje oreksi, fëmija është i lodhur, ka një kollë më produktive, ka temperaturë të shpeshtë, një herë në gjashtë orë, pastaj fillon shpeshtohet një herë në tre orë, fëmija është i zbehtë, do të rrijë shtrirë, s’ka interes për lojërat.

Janë shenjat që tregojnë se nuk është thjesht një kollë por ka filluar një bronshit deri në bronkopneumoni.

 

Nisur nga sezoni aktual, cilët janë faktorët që ndikojnë?

Ndryshimet e menjëhershme të temperaturës, nga ambienti i brendshëm në ambient të jashtëm, në qoftë se fëmija ekspozohet shumë në të ftohtë.

I ftohti ka faktorë termikë që provokon më shumë kollë; ngacmohen kordat, fillon ajo kolla e thatë nga ndryshimi i temperaturave.

Jeta kolektive, kopshtet, çerdhet, është e pamundur që të frekuentohen çerdhet e kopshtet dhe fëmija të mos ketë një kollë sepse ato në natyrën virusale apo bakteriale janë ngjitëse dhe do ta marrin nga njëri-tjetri.

 

Cili është trajtimi më i mirë për kollën e thjeshtë?

Në shumicën e rasteve ne i këshillojmë nënat që trajtimin e kollës ta bëjnë që në shtëpi, që në momentin e parë me çajra jo shumë të nxehtë, as të ftohta, lëngje me shumicë.

Në varësi të kollës, në qoftë se është një kollë me më tepër natyrë alergjike mund të bëhet trajtim çajra, me qumësht, me mjaltë.

Po kështu mund të bëhet edhe me terapi mjekësore, për trajtimin e kollës alergjike bëhet me terapi antisaminike ose antialergjike, pa kaluar tek antibiotikët, sepse për të marrë antibiotikët duhet të vendoset diagnoza.

Për një kohë duhet të marrë një mukolitik për mukusin, në qoftë se kolla është me sekrecione ose antialergjik për një kollë me natyrë alergjike, të thatë.

 

Ku gabojnë prindërit në trajtimin e kollës?

Te kohëzgjatja, i mbajnë fëmijët në shtëpi më shumë se pesë-gjashtë ditë.

Ndërkohë që kjo mund të fillojë si një kollë e thatë alergjike, pastaj zbret në mushkëri, alveolat dhe këtu e sjell në stad që mund të ishte kapur edhe më parë sesa kur vjen pas pesë apo gjashtë ditësh.

Zakonisht një virozë zgjat tre deri në pesë ditë.

Jo të gjithë i kuptojnë shenjat, mund ta mbajnë më shumë pa iu referuar gjendjes së fëmijës.

Një nënë e dallon shumë mirë fëmijën e vet se kur është në gjendje të mirë dhe kur është pak paqejf dhe kur është shumë paqejf.

Nga ana tjetër duhet pranuar që shumë prindër u drejtohen direkt farmacive, pa vizituar fëmijët te mjeku?

Prindërit duhet të marrin fëmijën dhe të vijnë te mjeku, pastaj në farmaci.

Por prindi e shkel këtë, shkon direkt në farmaci, farmacisti nuk njeh as fëmijën, nuk ka as historikun shëndetësor dhe në këtë rast gabon.

Në vendin tonë prindërit shkojnë në farmaci, marrin ilaçet dhe pastaj vijnë te mjeku me ilaçet që i kanë marrë vetë. Kjo nuk është gjë e mirë.

 

Mostrajtimi i mirë i kollës, ka rrezik për kthimin e saj në ftohje të vjetër?

Varet nga natyra e kollës, nga origjina, një gjë e tillë mund të caktohet pas disa ditësh.

Edhe te mjeku nëse fëmija vjen me një laringit të thjeshtë, që ai duket se është alergjik.

Një kollë në këtë fazë që mund të jetë një fëmijë i çerdhes ose i kopshtit që ka pak kollë me sekrecione dhe kur vijnë te ne nuk fillojnë mjekimin direkt.

E monitorojmë, e këshillojmë nënën që të ketë kujdes në disa pika, kryesisht në kohëzgjatjen e kollës, gjendjen e fëmijës dhe në qoftë se kjo zgjat më shumë se dy-tre ditë apo në qoftë se shtohet edhe temperatura në mes, ulja e oreksit, të gjitha këto janë shenja që fëmijës i duhet filluar terapia me ilaçe.

 

Kur fëmija është me temperaturë si të veprojmë?

Temperaturën deri në 38 gradë e menaxhon vetë trupi dhe nuk këshillohet dhënia e asnjë lloj shurupi, as paracetamol, as ibuprofen.

Duhet ditur që temperatura është mekanizëm mbrojtës, kundërpërgjigje ndaj diçka që nuk shkon, pasi temperatura e trupit rritet që të mos shumohen mikrobet, bakteret.

Në momentin që ne e luftojmë menjëherë në një temperaturë më të ulët mund të përparojë më mirë infeksioni, sesa po ta linim temperaturën deri në 38 gradë.

Te fëmijët e vegjël këshillohet më shumë paracetamoli, sepse bën ulje të temperaturës deri në nivel normal.

Ndërsa ibuprofeni këshillohet mbi 6 muaj të përdoret, sepse në dhënien disaditore rresht mund të bëjë hipotermi, ulje të temperaturës nga mbingarkesa e trupit.

E asimilon më pak trupi ibuprofenin, është më i fuqishëm në uljen e temperaturës, por të bën edhe me hipotermi.

Në rast se kemi hipotermi, temperatura duhet matur rektal (nga zorra e trashë) dhe i ulim 0.5 gradë.

Në moment që e kemi nën 35 gradë, quhet hipotermi – në këto raste duhet mbajtur ngrohtë, mbështillet me batanije, me gjëra të ngrohta dhe konsulta me mjekun.

Nga ana tjetër kemi edhe hipertermi që temperatura shkon shumë lart, në këtë rast këshillohet dhënia e antipiretikut jo më shpesh se një herë, në tre orë.

Sa i takon banjës, temperatura e ujit duhet të jetë një deri në dy gradë nën temperaturën e trupit që të kalojë nxehtësia nga trupi në ujë.

Sepse në rast se ti e ke me temperaturë dhe e fut edhe në një banjë që duhet të jetë me ujë të nxehtë në vend që t’i ulet temperatura, i ngrihet.

Prandaj duhet treguar kujdes që banja të bëhet në kushte ideale.

Temperatura është sinjal për problemet që po kalon fëmija, ka raste që tregon për një virozë, ka raste që tregon probleme të tjera.

Në varësi të temperaturës në vendosim diagnozën.

Në rast se temperatura është 37.5 gradë, në rast të një temperature subfebrile shkon për virozë, shkon edhe për infeksion urinar.

Një temperaturë më tepër gjatë mbrëmjes, gjatë natës shkon më tepër për infeksion urinar.

Një temperaturë te 39 gradë, 39.5 gradë – 40 gradë shkon për infeksion fyti.

 

USHQYERJA PËR KOLLËN

Ushqyerja duhet të jetë me fruta dhe perime të sezonit.

Kryesisht fruta që përmbajnë vitaminë C, portokalle dhe mandarina, si dhe lëngje me shumicë, frutat e thata janë shumë të mira sepse prodhojnë energji dhe mbrojnë imunitetin.

Për kollën me sekrecione këshillohet dy lugë lëng qepe e kuqe, e ngrin, e punon, i merr vetëm lëngun qepës dhe raporti është dy lugë lëng qepe dhe një lugë mjaltë.

Shija bëhet e njëtrajtshme sepse ka efekt edhe esenca e qepës dhe e mjaltit bëhet shumë e mirë dhe ndihmon në shkëputjen e sekrecioneve.

Për kollën e thatë këshillohen çajra me dafinë dhe lulet e blirit, janë shumë të mira.

 

KËSHILLA PËR KOLLËN

Në radhë të parë duhet të kenë kujdes me ndryshimin e temperaturës së ambientit, të vishen fëmijët mirë por as të mos ekzagjerohen.

Pasi ndonjëherë prindërit i veshin fëmijët aq trashë, saqë ai djersit, e thith trupi dhe bëhen më keq.

Të vishen aq sa është e domosdoshme, përgjithësisht ne këshillojmë që fëmijëve t’u veshim një rrobë më shumë se i rrituri.

Në rastet e virozave dhe epidemive të gripit të eliminohen vendet sikurse janë çerdhet, kopshtet, të mos frekuentojnë shumë këto vendet sikurse janë vendet e mbipopulluara sikurse janë qendrat tregtare, lokalet, kinematë.