“Dita e Falenderimeve” – Një ditë në vit për t’i thënë “faleminderit” Zotit për gjithçka kemi: shëndet, familje, miq, ushqim. Tradita e bukur amerikane që promovon gjestin fisnik të mirënjohjes, jo vetëm ndaj Perëndisë, por dhe karshi njëri-tjetrit…

Nga GENTIAN MINGA

 

Historia e Ditës së Falënderimeve

Më 11 dhjetor të vitit 1620 disa pelegrinë u vendosën në zonën e “Plymouth Rock”.

Dimri i tyre i parë atje rezultoi shkatërrues.

Në fillim të vjeshtës së ardhshme, ata kishin humbur 46 nga 102 personat që ishin gjithsej.

Por të korrat e vitit 1621 qenë me bollëk dhe kolonistët e mbetur vendosën ta festonin këtë ngjarje me një darkë ku ftuan edhe 91 indianët, të cilët i ndihmuan të mbijetonin vitin e parë atje.

Besohet se pelegrinët nuk do kishin mbijetuar dot atë vit pa ndihmën
e indianëve.

Festa përngjante më shumë me një festival tradicional të të korrave, sesa një festë të mirëfilltë ‘falënderimi’.

Ajo zgjati tre ditë.

Me shumë gjasa atëherë nuk pati gjel deti me lëng mishi, salcë me boronica apo patate të ëmbla e natyrisht, as kek me kungull, gatimin tradicional të amerikanëve për Ditën e Falënderimeve.

Por në atë festë padyshim që kishte peshk, boronica, lakërishte, karavidhe, fruta të thata, molusk, mish dreri dhe kumbulla të thata.

 

Zyrtarizimi i festës

Në vitin 1863, presidenti Linkoln shpalli të enjten e fundit të nëntorit si ditë kombëtare të
Falënderimeve.

E në fakt, Dita e Falënderimeve u shpall nga çdo president pas Linkolnit në data të ndryshme, derisa Frenklin Rusvelt e shpalli atë një javë para të enjtes së fundit të po atij muaji.

Në vitin 1941, kjo ditë u njoh dhe u sanksionua nga Kongresi si një festë kombëtare të enjten e katërt të nëntorit.

 

Kuptimi i festës

Dita e Falënderimeve është një festë kombëtare e cila festohet kryesisht në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, si një ditë falënderimi për bekimin e të korrave në vitin pararendës.

Por dhe vende të tjera nëpër botë organizojnë festime të ngjashme.

Dita e Falënderimeve festohet të enjten e katërt të nëntorit në Shtetet e Bashkuara, që këtë vit i bie të jetë më 28 nëntor.

Kjo festë i ka rrënjët historike në traditat fetare e kulturore, por prej kohësh festohet dhe në mënyrë laike.

Është një kohë për t’u mbledhur me familjen dhe miqtë, për të festuar një darkë së bashku e për të shijuar bukurinë e stinës të vjeshtës.

Duke e pasur zanafillën në festimet e lashta për korrjen, Dita e Falënderimeve karakterizohet nga një ikonografi që pasqyron më së miri të kaluarën e saj.

Imazhet që përfaqësojnë shumë prej zbukurimeve të Ditës së Falënderimeve në kohët e sotme janë të lidhura me festimin e vjeshtës ndër shekuj.

 

SIMBOLET

Ato mund të mbushin tryezën si gatime, por mund të përdoren dhe për dekor e zbukurime.

Të mbledhura nga një ose më shumë simbole të Ditës së Falënderimeve, objektet e punuara me dorë mund të luajnë një rol thelbësor në këtë festë të veçantë.

Nëse keni fëmijë, me siguri mundësitë për të qenë krijues nuk mungojnë në shtëpinë tuaj

 

BRIRI I BOLLËKUT

Simbolika e tij përshtatet përsosmërisht me vlerësimin e ushqimit dhe bollëkun që karakterizon Ditën e Falënderimeve.

Simboli, i cili daton që nga koha e grekëve të lashtë nënkupton bollëk, pjellori dhe të korra.

Tradicionalisht briri mbushet me lule, fruta dhe perime vjeshte.

 

KUNGUJT DHE KUNGULLUJËSIT

Një tjetër pasqyrim i historisë së Ditës së Falënderimeve si festim i të korrave është prania e frutave të vjeshtës, siç është kungullujësi.

Kungujt e kanë origjinën në Amerikën e Veriut dhe për rrjedhojë shërbejnë si zbukurim në tavolinat amerikane Ditën e Falënderimeve.

Natyrisht, shumë tavolina zbukurohen dhe nga keku me kungull.

 

GJETHET E VJESHTËS

Mishërimi i vërtetë i stinës së vjeshtës, gjethet e saj dhe gjallëria e tyre, ngjyrat e bukura, janë një element i rëndësishëm në zbukurimet e Ditës së Falënderimeve.

Të vërteta ose artifi – ciale, shfaqen në kurora elegante, si zbukurime në mes të tavolinës. Format dhe ngjyrat e gjetheve mund të përdoren gjithashtu për të krijuar ëmbëlsira unike.

 

QIRINJTË

Të pazëvendësueshëm në shumë festa, qirinjtë ofrojnë një ndjesi të veçantë ngrohtësie.

Një qiri me aromë të ngrohtë molle ose erëzash sjell një atmosferë të veçantë festash.

Qirinjtë e rrethuar nga lule dhe fruta sigurojnë një zbukurim elegant për mesin e një tavoline.

 

GRURI

Është një simbol unik i të korrave të vjeshtës dhe mund të përfshihet në shumë dekorime.

Mund të krijohen kurora të bukura festash me duaj gruri të tharë, por gjithashtu këta të fundit mund të përfaqësojnë fare mirë lulet dhe ngjyrat e vjeshtës.

 

MISRI

Ka të ngjarë që misri të ketë qenë festimi i parë i Falënderimeve të pelegrinëve dhe ai shfaqet si pjatë e rëndësishme në shumë vakte të kësaj feste.

Por kur vjen puna te përdorimi për zbukurim, misri nuk shfaqet vetëm në ngjyrë të verdhë.

Kallinjtë e tij kanë një larmi ngjyrash të vlefshme për stinën e vjeshtës.

 

KAPELAT

‘Pilgrim’ quhen kapelat që fshatarët mbanin kur u themelua Dita e Falënderimeve, kështu që me vitet ky është shndërruar në një simbol të kësaj feste.

Pilgrimi ka një formë karakteristike, por si dekor për Ditën e Falënderimeve kapelat mund të jenë të çfarëdolloj forme.

Burimi: Living