Për parashikimin e fatit me anë të misrit duhet të përzgjidhet një kalli i bukur, i shëndetshëm, me tetë rreshta vertikalë…

Ka metoda të ndryshme, të vjetra, për parashikimin e fatit, duke filluar nga shpatulla e pulës, filxhani i kafesë, dora, fasulet, por edhe misri.

Mendohet se parashikimi i fatit në misër e ka prejardhjen nga populli i lashtë amerikan vendas i inkasve, ku misri konsiderohej bimë e shenjtë, simbol i universit dhe dhuratë e perëndeshës Nënëmadhe.

Për parashikimin e fatit me anë të misrit duhet të përzgjidhet një kalli i bukur, i shëndetshëm, me tetë rreshta vertikalë.

Nga ai merren 41 kokrra dhe vendosen në një grup, ku mbi ta vendoset një shenjë e personit të cilit i parashikohet e ardhmja (ndonjë pe nga rrobat, qime, pullë).

Më pas, me dorën e djathtë kokrrat e misrit përzihen tri herë, fryhet në to dhe thuhet ndonjë fjalë magjike.

PASQYRA E FATIT

Më pas grumbulli i kokrrave ndahet në tri grupe më të vogla, nga të cilat numërohen nga katër kokrra.

Pjesa e mbetur nga tri grupet renditet nga e majta në të djathtë dhe kjo paraqet rendin e parë.

Rendi i dytë formohet, në mënyrë të tillë që, kokrrat e mbetura të misrit përsëri tubohen, përzihen dhe ndahen në tri grupe, ku më pas numërohen nga katër kokrra.

Nga pjesa e mbetur fitohet rendi i dytë, i cili po ashtu renditet nga e majta në të djathtë.

Edhe për rendin e tretë vlen rregulla e njëjtë si edhe për dy rendet e mëparshme.

Rendi i parë i kokrrave të misrit quhet pjesa fillestare (apo ballore), rendi i dytë mesi, derisa rendi i tretë quhet prag.

Grumbulli në anën e majtë paraqet rendin femëror, e në të djathtë mashkullor.

Grumbulli në mes quhet zemër.

Nga këto nëntë grupe jepet përgjigja vetëm në një pyetje, e për çdo pyetje të re, misri duhet të renditet përsëri.

 

SHENJAT E MIRA:

Kur në pjesën fillestare formohen tri grupe me gjithsej nëntë kokrra, pa marrë parasysh se sa kokrra ka secili grup;

kur në grupin e zemrës gjenden dy kokrra, e në anën tjetër nga tri;

kur në prag, në grupin e mesëm bien tri kokrra, e anash nga një;

kur në secilin nga nëntë grupet gjenden nga tri, apo katër kokrra (një shenjë e jashtëzakonshme)!