Mjekja Jeta Lakrori: Kur duhet të fillojë kombinimi i qumështit të gjirit me ushqime shtesë

Qumështi i formulës përbëhet nga një shumëllojshmëri prodhimesh, duke përfshirë qumështin shtazor, të sojës dhe vajrave vegjetale.

Megjithëse ai është përshtatur që t’i ngjajë sa më shumë qumështit njerëzor, është ende larg nga të qenit perfekt për beben”.

Deklarata vjen nga mjekja dhe specialistja e shëndetit publik, Jeta Lakrori, e cila përmes kësaj interviste, sjell në vëmendje rëndësinë që ka ushqyerja e fëmijës me qumësht gjiri.

 

Znj. Lakrori, gjithmonë është folur mbi rëndësinë që ka ushqyerja e fëmijës me qumësht gjiri, por nga ana tjetër, nënat e reja e neglizhojnë. A mund t’i risjellim në vëmendje vlerat ushqyese?

Ushqyerja me gji është mënyrë e pazëvendësueshme e sigurimit të një ushqimi ideal për mirërritjen dhe zhvillimin e fëmijës, ndaj duhet të jetë domosdoshmërisht ushqimi i zgjedhur për fëmijën në muajt e parë të jetës.

Qumështi i gjirit të nënës është i shëndetshëm, i sigurt, praktik, është në dispozicion në çdo moment dhe në çdo vend, është në temperaturën dhe me përmbajtjen e duhur si dhe është falas!

Qumështi i gjirit i përmban të gjitha lëndët ushqyese të nevojshme, si në sasi, edhe në cilësi, dhe është i tretshëm.

Ai përmban 88% ujë, sheqerna më shumë, laktozë për energji dhe proteina, të cilat janë të tretshme.

Shumë nga proteinat përbëhen nga proteina antiinfektive, të cilat ndihmojnë për të mbrojtur një foshnjë nga infeksionet.

Vetëm qumështi i gjirit i përmban lëndët apo trupëzat mbrojtëse.

Yndyrnat janë acide yndyrore thelbësore që nuk janë të pranishme në qumështin e formulave.

Acidet yndyrore thelbësore janë të nevojshme për zhvillimin e trurit dhe syve të foshnjës si dhe të vazave të gjakut.

 

Cilat janë disa nga avantazhet e ushqyerjes me gji?

Qumështi i gjirit u jep foshnjave të gjitha lëndët ushqyese të nevojshme, për të cilat ato kanë nevojë për një zhvillim të shëndetshëm.

Ai është i sigurt, përmban antitrupa dhe mbron foshnjat nga sëmundjet e zakonshme të fëmijërisë, siç janë: diarreja dhe pneumonia, që janë dy shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë foshnjore në mbarë botën.

Ai është i arritshëm dhe i përballueshëm, çka ndihmon për të siguruar që foshnja të marrë ushqim të mjaftueshëm.

Fëmija tret më lehtësisht qumështin e gjirit sesa atë artificial, duke minimizuar kështu dhimbjen e barkut dhe diarrenë.

 

Pse jo një ushqyerje me formulë për foshnjat?

Qumështi i formulave përbëhet nga një shumëllojshmëri prodhimesh, duke përfshirë qumështin shtazor, të sojës dhe vajrave vegjetale.

Megjithëse ai është përshtatur që t’i ngjajë sa më shumë qumështit njerëzor, është ende larg nga të qenit perfekt për beben.

Ushqyerja me qumështin pluhur të formulës për foshnjat nuk përmban antitrupat, të cilët janë në qumështin e gjirit, dhe është e lidhur me disa rreziqe, si: sëmundjet me origjinë nga uji, nga përzierja e pluhurit të qumështit me ujë jo të sigurt.

Kequshqyerja mund të shkaktohet edhe nga mbihollimi i qumështit me formulë.

 

Cilat janë disa nga rreziqet e ushqyerjes artificiale?

Rreziqet janë disa: fëmija ka më shumë infeksione respiratore, më shumë diarre akute dhe diarre të zgjatura kronike, kequshqyerje, pamjaftueshmëri në vitaminë A, më shumë alergji, si për shembull ekzemë dhe astma të mundshme, rrezik i rritur ndaj disa sëmundjeve kronike (diabeti), rrezik për obezitet, pikë më të ulëta të testeve të inteligjencës në fëmijëri, ndërkohë që një nënë mund të mbetet shtatzënë më shpejt si dhe ka rrezik të rritur për anemi dhe kancer të ovareve dhe të gjirit.

 

Ku ndryshon një fëmijë i ushqyer me qumësht gjiri nga një fëmijë që është ushqyer me qumësht artificial?

Fëmijët e ushqyer me qumësht gjiri mund të prezantojnë më pak vlera të kolesterolit në gjak si dhe më pak mundësi për të shtuar mbi peshë kur të rriten.

Kanë një zhvillim më të mirë të trurit, rrezik më të vogël ndaj alergjive në familjet e predispozuara si dhe më pak të rrezikuar nga i ashtuquajturi diabeti i fëmijëve.

Përveç përfitimeve shëndetësore të menjëhershme, jep edhe përfitime shëndetësore përgjatë jetës.

Të rriturit, të cilët janë ushqyer me gji si foshnjë, shpesh kanë presion gjaku të ulët dhe kolesterol më të ulët.

Gjithashtu, kanë dhe nivele të ulëta të mbipeshës, obezitetit dhe diabetit të tipit 2.

Studime të ndryshme kanë treguar se njerëzit të cilët janë ushqyer me gji, japin rezultate më të mira në testet e inteligjencës.

 

Në çfarë moshe duhet të fillojë kombinimi i qumështit të gjirit me ushqime shtesë?

Koha ideale për futjen e ushqimeve në dietën e foshnjës është e vështirë të përcaktohet fikse.

Rreth moshës 6-muajshe, qumështi i gjirit nuk është më i mjaftueshëm, ndaj nga kjo moshë të gjitha foshnjat duhet të marrin ushqime të tjera, që njihen si ushqime shtesë, plotësuese, përveç qumështit të gjirit.

Por, qumështi i gjirit mbetet përsëri një burim i rëndësishëm energjie dhe lëndësh ushqyese me cilësi të lartë, deri në vitin e dytë të jetës e më tej.

Ushqimet duhet të fillohen një nga një, në mënyrë që fëmija të mësohet me shijen e tyre dhe të vëzhgohet për ndonjë shenjë alergjie apo intolerance.

 

Pse është e rëndësishme të ndiqet kjo praktikë?

Ushqimet plotësuese që futen shumë herët, kanë më pak përfitim për foshnjën dhe mund të jenë edhe të dëmshme, sepse mund të shkaktojnë mbytje, alergji ushqimore, ose bëjnë që fëmija të marrë më pak nga sasia e duhur e qumështit të gjirit apo formulave.

Ndërkohë që, futja e ushqimeve plotësuese shumë vonë, mund të shkaktojë zhvillimin e mangësive për lëndë ushqyese të foshnjës apo humbjen e periudhës së zhvillimit që lidhet me gatishmërinë për t’u ushqyer me këto ushqime.

Për rrjedhojë, foshnja mund të ketë vështirësi për të mësuar për të ngrënë ushqimet plotësuese kur ato fillohen me vonesë.

Kur ushqimet plotësuese fillohen në moshën e përshtatshme të zhvillimit të foshnjës, kërkesat për lëndë ushqyese mund të plotësohen dhe mund të zhvillohen si duhet ushqyerja dhe aftësitë që foshnja të ushqehet vetë.

Ushqimet për fëmijën mund të përgatiten posaçërisht për të ose të modifikohen nga ushqimet e familjes.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vë në dukje se: Ushqyerja me gji nuk duhet të pakësohet në momentin që fëmijës i fillohet edhe ushqyerja plotësuese.

Po ashtu, sipas OBSH-së, këto ushqime duhet të jepen me lugë ose gotë dhe jo me shishe si dhe duhet të jenë të pastra, të sigurta dhe në dispozicion.

 

Çfarë këshillash do të jepnit për nënat?

Kam disa këshilla për nënat.

Shijojini momentet e bukura në shoqërinë e fëmijës suaj – flitini, këndojini një këngë, prekeni: janë të gjitha mënyra speciale për t’i treguar fëmijës dashurinë që keni për të.

Ju duhet të ushqeheni shpesh dhe pak; sa herë ushqeni fëmijën tuaj, 6-7 herë.

Ndiqni një dietë të shumëllojshme dhe të ekuilibruar.

Ndonjëherë, nënat që i ushqejnë fëmijët e tyre me gji, vuajnë nga mungesa e etjes.

Uji është lënda më e mirë për trupin tuaj, por edhe supat e ndryshme ose lëngjet e frutave në masë të madhe (mundësisht natyrale) mund ta zëvendësojnë atë.

87% e qumështit të gjirit përbëhet nga uji.

Shmangni pirjen e duhanit, pasi nikotina e irriton dhe e lë pa gjumë fëmijën.

Pakësoni konsumin e alkoolit, kafesë dhe pijeve të tjera eksituese, pasi kalojnë në qumështin e gjirit dhe japin efekte negative te fëmija.

Kujdes me përdorimin e medikamenteve, edhe në sasi minimale, pasi kalojnë në qumështin e gjirit, dhe kujdes higjienën e duarve, të cilat duhet të lahen me ujë dhe sapun, dhe gjinjtë duhet të lahen vetëm ujë.