Dr. Ilda Xhelili: Simptomat klinike të artritit septik përfshijnë temperaturë, të dridhura (ethe), dhimbje në vendin e caktuar, ënjtje, si dhe skuqje…

Infektimi i një, apo më shumë nyjeve nga bakteret, viruset, apo mikroorganizma të tjerë, çon në shfaqjen e sëmundjes që njihet si artriti septik (infektiv).

Prej kësaj sëmundjeje rrezikojnë më tepër kategoritë që janë me imunitet të dobët.

Mjekja Ilda Xhelili tregon se nëse sëmundja nuk trajtohet në kohë, kthehet në një kërcënim serioz për shëndetin.

Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar format se si shfaqet kjo sëmundje, simptomat dalluese, si dhe kujdesin që duhet të tregoni në trajtimin e saj.

 

Çfarë duhet të kuptojmë me artrit septik?

Artriti septik është infeksioni i një, ose më shumë nyjeve (artikulacioneve) nga mikroorganizmat.

Artriti septik mund të shkaktohet nga infeksionet bakteriale, virale, ose mykotike.

Normalisht kur dy nyje (artikulacione) lidhen me njëra-tjetrën, midis tyre ndodhet një lëng lubrifikues që quhet lëngu sinovial.

Ky lëng lehtëson lëvizjen e artikulacioneve dhe normalisht është steril, domethënë nuk ka mikrobe të pranishme.

Në shumicën e rasteve artriti prek një nyje të vetme, por herë pas herë përfshihen më shumë nyje.

Shkaktarët më të shpeshtë të artritit septik janë bakteret, si: stafilokoku aureus dhe “haemophillus influenzae”.

Por në individë të veçantë mund të jenë si shkaktarë bakterialë edhe “E.coli” dhe “Pseudomonos” (më së shumti tek përdoruesit e drogës), “Neisseria gonorrheae” (tek moshat seksualisht aktive), si edhe salmonella tek fëmijët e vegjël më shpesh.

Ndër viruset që mund të shkaktojnë artritin septik përmendim viruset e hepatitit A,B dhe C, viruset herpetike, virusin HIV (AIDS), adenoviruset, etj.

Ndërsa ndër funget (myket) përmendim “Histoplasma” dhe “Blastomyces” (më të zakonshmit).

 

A është ngjitës artriti septik?

Artriti septik në vetvete nuk është ngjitës, megjithatë, shumë prej mikrobeve që shkaktojnë artritet infektive mund të transmetohen nga një pacient i infektuar tek tjetri, duke përfshirë këtu gonorrenë, turbekulozin dhe HIV.

Ndaj në çdo rast nuk duhet që të neglizhohet marrja e kujdesit të specializuar mjekësor në kohë. Është mjeku specialist ai që përcakton edhe llojin e trajtimit që duhet të ndiqni.

 

Cilët persona janë më të rriskuar për të zhvilluar artritin septik?

Artriti septik prek jo rrallë edhe njerëz që nuk kanë faktorë të njohur rreziku, por më të predispozuar janë pacientët që vuajnë nga diabeti, sëmundje reumatizmale, çrregullime immune, përdoruesit e drogave venoze, abuzuesit e alkoolit, etj.

 

Cilët janë simptomat klinike të artritit infektiv?

Simptomat klinike të artritit septik përfshijnë temperaturë, të dridhura (ethe), dhimbje në vendin e caktuar, ënjtje, si dhe skuqje.

Zakonisht preken nyjet e mëdha, si për shembull gjunjët, këmbët, bërrylat.

Por në pacientët e predispozuar mund të preken edhe nyje të pazakonta si për shembull klavikulat, nyjet lidhëse të brinjëve me dërrasën e kraharorit.

Me mikrobin “Brucella” infektohen më shpesh kockat e legenit (sakroileitet brucelozike).

 

Si vendoset diagnoza e saktë e kësaj sëmundjeje?

– Diagnoza e saktë e artritit septik bëhet nëpërmjet ekzaminimit të lëngut sinovial në mikroskop.

Aty vërehet nëse ka një vlerë të rritur të qelizave të bardha të gjakut që sugjeron inflamacion (infeksion).

Një kulturë (mbjellje) e lëngut mund të identifikojë mikrobin shkaktar, si edhe të përcaktojë medikamentin që vepron më mirë.

– Ekzaminimet me rreze X (radiologjia) janë të dobishme për të përcaktuar nëse ka dëmtime të kockave përreth artikulacionit të prekur. Rezonanca magnetike (MRI) është po ashtu shumë e ndjeshme për të përcaktuar destruksionin kockor (shkatërrimin kockor).

– Testet e gjakut përdoren shpesh për të zbuluar dhe monitoruar inflamacionin. Këto teste përfshijnë numërimin e qelizave të bardha të gjakut, sedimentin dhe proteinën C-reaktive.

 

Si trajtohet artriti septik?

Artriti septik nuk mund të trajtohet ambulatorisht dhe në kushtet e shtëpisë.

Artriti septik përbën një urgjencë mjekësore dhe kërkon një trajtim të shpejtë nga një ekip i duhur mjekësor.

Eliminimi sa më i shpejtë i lëngut sinovial të infektuar duhet kryer sa më parë nëpërmjet kullimit të tij (drenazhit), qoftë me shiringë dhe age, qoftë me rrugë kirurgjikale.

Rol të rëndësishëm luajnë antibiotikët, të cilët përdoren të kombinuar dhe në rrugë intravenoze për katër deri në gjashtë javë.

Në rastin e artriteve virale dhe mykotike, përdoren antiviralët dhe antimykotikët përkatës.

Nëse mjekimi fillohet në kohën e duhur, atëherë probabiliteti i shërimit të plotë është i madh.

Nëse infeksioni ka qenë i gjatë, atëherë është i lartë probabiliteti i shkatërrimit të kockave përreth artikulacionit të prekur.

 

A është e mundur ta shmangim artritin septik?

Është e mundur vetëm nëse shmangim infeksionet, plagët e infektuara, apo dëmtimin e lëkurës.

Pra në fakt është e vështirë.

Parashikimi për ecurinë e artritit septik varet saktësisht nga mikrobi shkaktar, kohëzgjatja e infeksionit dhe kushtet shëndetësore të individit.

Disa lloje mikroorganizmash janë më agresive dhe më të vështira se të tjerët për t’u trajtuar.

Sa më gjatë të jetë i pranishëm infeksioni, aq më shumë dëmtohen nyjet dhe kockat përreth.

Njerëzit me imunitet të ulët, ose të dëmtuar janë më të ndjeshëm dhe më të predispozuar që infeksioni të përhapet edhe në organet e tjera./Dita.al