Kujdes! Mbipesha detyron kyçet si gjunjët, artikulacionet koksofemorale, si dhe shtyllën kurrizore që të ekspozohen kundrejt një ngarkese, për të cilën nuk janë projektuar

Nga Dr. ERGETA KTONA, Reumatologe

Sëmundjet reumatizmale janë të lidhura me moshën.

Kjo do të thotë që me kalimin e viteve, rritet edhe mundësia për t’u prekur prej tyre.

Sipas mjekes reumatologe, Ergeta Ktona, grupmoshat më të rriskuara janë ato mbi 45 vjeç.

Por ky nuk është i vetmi shkak. Doktoresha rendit edhe disa faktorë të tjerë, të tillë janë mbipesha, qëndrimi ulur për një kohë të gjatë, kequshqyerja, konsumimi i duhanit, alkoolit, stresi dhe diabeti.

Dr. Ktona bën me dije edhe shenjat që paralajmërojnë fillimin e sëmundjeve reumatizmale.

“Dhembja është elementi më i shpeshtë, e cila në shumicën e rasteve ka specifika sipas llojit të sëmundjes.

Ajo mund të jetë e pranishme gjatë lëvizjes në artrozat e gjunjëve, shtyllës kurrizore, ku dhembja mund të përhapet edhe larg vendit të dëmtimit kockor përgjatë trajektores së nervit, ose gjatë qetësisë, kryesisht natën, në rastin e sëmundjeve autoimune.

Shpeshherë, dhembja nuk është e vetmja ankesë, ajo mund të shoqërohet me skuqje, ënjtje, dhe humbje të përkohshme të funksionit të artikulacionit”.

– Për trajtimin e këtyre sëmundjeve është i rëndësishëm veç trajtimit medikamentoz, edhe regjimi ushqimor.

Lidhur me dietën për osteoporozën, doktoresha këshillon që të konsumohen kryesisht ushqime të pasura me kalcium.

MBI SËMUNDJET REUMATIZMALE

Sëmundjet reumatizmale, të cilat në numër janë më shumë se 200, janë një grup sëmundjesh të cilat prekin kockat, muskujt, tendinet, ligamentet dhe shpesh disa prej sëmundjeve prekin ndjeshëm edhe organet e brendshme.

Karakteristika kryesore e sëmundjeve reumatizmale është “dhembja”, e cila në sëmundje të ndryshme paraqitet me intensitet të ndryshëm nga dhembje të lehta, deri në dhembje, të cilat kushtëzojnë ndjeshëm cilësinë e jetës.

Që në kohët e lashta njihen fakte, të cilat u referohen sëmundjeve të ndryshme reumatizmale.

Në shkrimet e Biblës, kur përshkruhet shëndeti i Moisiut, flitet për dhembjet e vazhdueshme dhe problemet e tij me shtyllën kurrizore.

Një legjendë e bukur, e cila flet për sëmundjet reumatizmale, është edhe ajo e cila flet për Gouten (Podagrën), e cila doli në pah në kohën kur Dionisi (zot grek i verës) përpiqej të joshte Afërditën e bukur.

 

FAKTORËT E RISKUT

Shkaqet e sëmundjeve reumatizmale janë nga më të ndryshmet: me kalimin e viteve qelizat kockore, ashtu si të gjithaqelizat e tjera, u nënshtrohen ndryshimeve fiziologjike, të cilat përkthehen në sëmundje reumatizmale.

Mbipesha është një ndër shkaktarët më të shpeshtë të sëmundjeve reumatizmale, të cilat në bazën e tyre kanë ndryshimet mekanike.

Mbipesha detyron kyçet si gjunjët, artikulacionet koksofemorale, si dhe shtyllën kurrizore që të ekspozohen kundrejt një ngarkese për të cilën nuk janë projektuar.

Si kompensim, sistemi kockor bën ndryshime, që shoqërohen me dhembje të forta si rezultat i prishjes së arkitekturës kockore dhe ngacmimeve të indeve të buta.

Në një pjesë të rasteve, ndryshimet e gjunjëve janë aq të ndjeshme, sa shkatërrimi kockor është i pamundur të ndihmohen nga terapitë medikamentoze dhe ky kontingjent pacientesh janë të destinuar t’i nënshtrohen protezimeve me anë të ndërhyrjeve kirurgjikale.

Jeta sedentare, në mënyrë direkte duke favorizuar mbipeshën, dhe indirekt duke penguar motorikën normale të artikulacioneve favorizon artrozat e artikulacioneve të ndryshme.

Qëndrimi në pozicione ulur për një kohë të gjatë, pa mbajtur një pozicion korrekt të shtyllës kurrizore, është një tjetër faktor, i cili ka bërë që në këtë kontingjent sëmundjesh të përfshihen edhe grupmosha shumë të reja.

Kequshqyerja, e cila nuk nënkupton vetëm marrjen me pakicë të disa produkteve ushqimore, por edhe marrja në sasi të mëdha e disa të tjerave (si p.sh mishit të kuq, vezës dhe disa ushqimeve të tjera me përmbajtje të lartë proteinike) janë faktorë predispozues.

Duhanpirja, konsumimi i alkoolit, stresi, diabeti mellitus, sëmundjet renale, ato të gjëndrës paratiroide dhe tiroide, nëpërmjet mungesës së vitaminës D, mungesë e cila mund të vijë edhe si rezultat i mosekspozimit të mjaftueshëm në diell, sëmundjet malinje, marrja për një kohë të gjatë e kortizonikëve, mund të shërbejnë si shkaktarë madhorë të fillimit të disa prej sëmundjeve reumatizmale.

Një kontingjent tjetër i sëmundjeve reumatizmale, të cilat për nga agresiviteti renditen të parat, janë edhe ato autoimune, sëmundje në të cilat sistemi imunitar i favorizuar edhe nga faktorët gjenetikë, ambientalë dhe infektivë dëmton organet e ndryshme dhe mund të çojë pacientin drejt invaliditetit me prishje të cilësisë së jetesës dhe jetëgjatësisë.

Këtu bëjnë pjesë artriti rheumatoid, sklerodermia sistemike, lupusi eritematoz i diseminuar, morbus bekteriev etj.

 

SIMPTOMAT ME TË CILAT MANIFESTOHEN

Dhembja është elementi më i shpeshtë i sëmundjeve reumatizmale, e cila në shumicën e rasteve ka specifika sipas llojit të sëmundjes.

Ajo mund të jetë e pranishme gjatë lëvizjes në artrozat e gjunjëve, ose të capokëve (koksofemoreleve), shtyllës kurrizore, ku dhembja mund të përhapet edhe larg vendit të dëmtimit kockor përgjatë trajektores së nervit, ose gjatë qetësisë, kryesisht natën, në rastin e sëmundjeve autoimune.

Shpeshherë dhembja nuk është e vetmja ankesë, ajo mund të shoqërohet me skuqje, ënjtje, dhe humbje të përkohshme të funksionit të artikulacionit.

 

MBI OSTEOPOROZËN

Osteoporoza është një sëmundje metabolike, e cila lidhet me mungesën e kalciumit në kocka dhe vitaminës D.

Një në tri femra preken nga kjo sëmundje dhe 1 në 5 meshkuj vuajnë gjithashtu.

Sëmundja në fjalë, përgjithësisht është e heshtur dhe në fillimet e saj mund të mos paraqesë asnjë ankesë, dhe shpeshherë ankesa e parë shfaqet kur ajo shoqërohet me fraktura kockore të cilat, sigurisht në varësi të vendit ku ndodh, mund të invalidizojë pacientin.

Për fatin e mirë të pacientëve, kjo sëmundje është shumë mirë e trajtuar me medikamente të ndryshme, si dhe me ndihmën e një diete me produkte ushqimore, të cilat kanë në përmbajtje të tyre kalciumin, si p.sh., produktet e bulmetit, zarzavatet, peshku, frutat e thata (kryesisht bajamja), etj.

Për prodhimin e mjaftueshëm të vitaminës D ndihmon edhe ekspozimi në diell,kryesisht në orët e para të mëngjesit.

 

MOSHAT QË RRISKOHEN

Për shkak të të gjitha ndryshimeve jetësoreqë na shoqërojnë çdo ditë, grupmoshat më të rrezikuara nga sëmundjet reumatizmale janë mbi 45 vjeç, por sot është ulur shumë moshapër disa sëmundje, sidomos për spondiloartrozat, të cilat prekin mosha edhe shumë më të reja.

 

Disa nga shenjat e sëmundjeve reumatizmale

Skuqje jo normale e lëkurës së fytyrës pas ekspozimit në diell

Tharje e syve dhe e gojës

Zbehje deri në nxirje e gishtave të duarve dhe këmbëve, pas ekspozimit në temperature të ulta

Dhimbje dhe enjtje e kyçeve

Dhimbje e muskujve ose ulje e forcës muskulare

Rënie pashpjegueshme në peshë (nga dieta)

Plagë të përsëritura në gojë

Skuqje e syve deri në ulje të shikimit

Aborte të pashpjegueshme

Tromboza në enët e gjakut

Dëmtim i veshkave

Mpirje të këmbëve dhe të duarve nga dëmtimi i nervave periferik

 

Sëmundjet reumatizmale, 4 grupe kryesore

Sëmundjet inflamatore të kyçeve si: Artriti Reumatoid, Spondiliti Ankilozant, Artriti nga kristalet etj.

Sëmundjet autoimmune të indit lidhor si: Lupusi, Vaskuliti, Sklerodermia, Sindromi Sjogren etj

Sëmundjet e metabolizmit të kockës dhe kërcit si: Osteoartriti dhe Osteoporoza

Sindromat e dhimbjeve të lokalizuara apo të gjeneralizuara, si psh: Dhimbjet e mesit, supit, fibromialgjia etj./ Panorama