Agim Murati rrëfen se si mposhtet fukarallëku me dinjitet, prej 6 vjetësh ndërton i vetëm shtëpinë e 4 djemve, që tashmë është shndërruar si një kështjellë/ supershendeti.com

 

Nga Elbasani, Julian Hoxha

“Po të mbyti fukaralliku nuk duhet të rrish më duar kryq, ta shkatërrosh me punë, se ndryshe nuk del”, – është kjo shprehja optimiste e Agim Muratit, banor i fshatit Griqan, në Njësinë Administrative Labinot Fushë, të Bashkisë Elbasan.

Historia e Agim Muratit nuk është as groteske, por nuk mund ta quash as dramatike.

Ajo është frymëzuese dhe shumë realiste.

Nuk është groteske, sepse Agimi është një familjar si gjithë të tjerët, me një jetë normale, i kthyer nga emigracioni dhe me një familje për t’u pasur zili.

Nuk është dramatike, sepse ai nuk i është dorëzuar fatit, por ka zgjedhur të jetojë denjësisht, duke bërë gjithçka për të mos humbur krenarinë e të qenit prind.

Pak javë më parë, një miku im biznesmen më fton për të shkuar për vizitë në familjen Murati, vetëm pak km larg nga qendra e Elbasanit.

Nisemi një mëngjes herët dhe për pak minuta gjendemi në fshatin Griqan.

Pak më shumë se një km rrugë, nga segmeti Elbasan-Labinot i rrugës kombëtare Elbasan-Qafë Thanë, deri në fshatin Griqan, është rrugë me kalldrëm.

Temperaturat e ulëta kishin krijuar shtresa akulli në rrugë, por kjo nuk na pengon të ngjisim një malore, që shkon deri në pragun e derës së shtëpisë së Agim Muratit.

Sapo mbërrijmë afër shtëpisë, ende pa zbritur nga makina, Julian Hyseni, miku im që më ftoi për të vizituar familjen Murati, më tregon nga xhami i makinës një shtëpi alpine, në formën e një vile.

“Ajo atje është shtëpia”, – më thotë Juliani, – “shiko si e ka ndërtuar” – vijon duke më treguar, e duke drejtuar makinën nëpër rrugën e kalldrëmtë.

“Seriozisht po flet”,- i kthehem me një shrpehje habie, duke vijuar të shoh shtëpinë, që për hir të së vërtetës, nëse nuk e do të ma thoshte miku im, nuk do e besoja që ajo strukturë ishte ndërtuar nga një person, që çdo ditë vuan për bukën e gojës.

 

GJASHTË VJET PUNË I VETËM, PËR TË NDËRTUAR STREHË PËR FAMILJEN

Të gjithë ne ëndërrojmë të kemi një jetë sa më të mirë, të kemi shtëpi të bukur dhe të jetojmë sa më këndshëm.

Por ka raste, kur dorëzohemi, sepse fati dhe kushtet ekonomike nuk na i mundësojnë ato…

Ndaj dhe sapo zbres nga makina, vetëm pak metër larg shtëpisë së Agim Muratit, i drejtohem këtij të fundit, që e takojmë aty, duke e pyetur me kuriozitet, nëse ishte e vërtet që e kishte ndërtuar vetë.

“Po, të gjitha vetë, kam 6 vjet që e ndërtoj”, – më kthehet Agimi, duke na uruar mirëseardhjen.

Për pak çaste mbetem i habitur dhe vështroj shtëpinë.

Shtëpia ka formën e një banese alpine, e ndërtuar e gjitha me gurë, çatia është me tjegulla, ndërsa arkitektura e saj është mjaft tërheqëse.

Pozicionimi i shtëpisë në kodër e bën atë edhe më të bukur, ndërsa prej saj mund të vështrosh në jug luginën e lumit Shkumbin, si dhe malin e Bukanikut në Gjinar.

E gjithë panorama është tërheqëse dhe ndonëse me vuajtje, Agim Murati ka ndërtuar një banesë ëndrrash, ndonëse ka ende punë për përfundimin e saj.

Duke vijuar bisedën me fshatarin e ndershëm, ai na tregon se gjithçka e ka bërë vetë.

“Kam gjashtë vjet që punoj.

U ktheva nga emigrimi, se s’kishte më punë dhe erdha këtu.

Të gjitha këto i kam bërë vetë, vetëm çimenton kam blerë, ndërsa gurët dhe drurët i kam mbledh në përrua dhe kam ndërtuar pak nga pak”,

– thotë Agim Murati, ndërsa na fton për të parë shtëpinë nga brenda.

Shtëpia është e papërfunduar, por për Agimin rëndësi ka që tashmë shtëpia ka çati dhe fëmijët e tij nuk janë jashtë.

Brenda shtëpisë gjërat janë rrëmujë, ka vetëm disa orendi dhe mobilie të vjetra, për të cilat Agimi shprehet me optimizëm se do i bëjë avash-avash.

 

HISTORIA QË TË SOLIDARIZON

Varfëria dhe mungesa e një pune ka bërë që ekonomia e familjes Murati të jetë në kushte mbijetese.

Agimi tregon se është baba i pesë fëmijëve.

Ka katër djem dhe një vajzë.

Vajzën, siç shprehen të dy bashkëshortët Murati e kanë dhënë “peshqesh”, për një të afërm të tyre që nuk lind fëmijë, ndërsa djemtë i rrisin vet.

Por hallet e kësaj familje, veç varëfërisë, i janë shtuar edhe me sëmundjen e një prej djemve, i cili është me “Aftësi Ndryshe”.

Pikërisht, djali i madh i familjes Murati ka lindur me probleme fizike, çka ka bërë që edhe një pjesë të të ardhurave të kësaj familje të shkojnë për kurimin e tij.

Ndërkohë tre djemtë e tjerë, ende të mitur, gëzojnë shëndet të plotë.

Kjo histori ka tërhequr fillimisht vëmendjen e Julian Husenit, një biznesmen i punimit të Aluminit, i cili pasi ishte njohur me gjendjen e familjes Murati, vendosi të punësojë babain e katër djemve, ndërsa shtëpisë së re të Agimit i bëri dhuratë dyert dhe dritaret e aluminit, duke ndalur kështu erën dhe të ftohtin e dimrit, të futej në dhomat e kësaj shtëpie, aty ku jetonë 6 persona, 4 prej të cilëve fëmijë.

Gjithashtu, Nisma “Dhuro Dashuri”, i shkoi pranë kësaj familje duke i dhuruar disa pako me ushqime dhe të mira materiale.

 

MIRËNJOHËS DHE FALENDERUES, NDAJ KALIT DHE ÇEKANIT

Vizita në shtëpinë e Agimit është e bukur, dhe ato pak minuta në të bëjnë të ndihesh optimist.

Ashtu si kundër e kam theksura në fillim të këtij shkrimi, historia e Agim Muratit është frymëzuese, aq sa duhet ta njoh çdokush që kalon momente të vështira në jetë.

Nuk është pak, të rrisësh katër fëmijë, një prej të cilëve me “aftësi ndryshe”, duke mos pasur asnjë të ardhur financiare.

E përsëri përballë këtyre problemve dhe halleve, Agimi ka gjetur forcë për të kaluar vështirësitë.

Duke dalë prej shtëpisë, më bie në sy një prej gurëve të shtëpisë, pikërisht aty në ballë të saj, është gdhendur një Cekan dhe një Patkua kali.

Këto dy simbole më tërheqin vëmendjen, dhe pyes Agimin se çfarë simbolike kanë.

“Patkoin e kam bërë për të falenderuar kalin.

Me atë kam mbajtur gurët nga përroi dhe drutë në mal, ndërsa çekanin kam përdorur për të skalitur gurin”, – thotë Agimi duke buzqeshur.

Ndërkohë, pak para se të ndahemi me të, Agimi ka një mesazh për të gjithë ata, që shpeshtazi demoralizohen apo varfëria dhe probleme të tjera i bëjnë të bien në gjendje pesimizmi.

“Po të mbyti fukaralliku, nuk duhet të rrish me duar kryq, ta shkatërrosh me punë, se ndryshe nuk del.

Po të mbyti, të mbyti, nuk ke ça me bo, me të ndenjtme nuk kalohet, duhet të punosh që ta shkatrrosh”, -thotë Agimi…/ supershendeti.com