Flet Dr. Gerald Kola: Acidi ursodeoxycholic nga goja mund të ndihmojë në parandalimin e formimit të gurëve në pacientët obezë të sëmurë, të cilët humbasin peshë me shpejtësi

Intervistoi: Voltiza Duro

Konsumimi i ushqimeve të yndyrshme, mund të krijojë një tepri të madhe kolesteroli në lëngun e tëmthit, e për pasojë mund të shkaktojë kolelitiazën, e njohur si gurë në tëmth.

Krijimi i këtyre gurëve mund të mos japë simptoma për vite me radhë, në një kohë që madhësia e tyre progresion kohë pas kohe, e madje mund të arrijë deri në përmasat e një topi golfi.

Në këtë intervistë mjeku Gerald Kola, tregon shkaqet kryesore të formimit të gurëve në tëmth, simptomat, mënyrat e diagnostikimit si dhe metodat e eliminimit të tyre.

 

Çfarë janë gurët në tëmth dhe si formohen?

Gurët në tëmth ose kolelitiaza është prania e një ose më shumë gurëve, pra janë depozita të ngurtësuara të lëngjeve të tretjes që mund të formohen në fshikëzën e tëmthit.

Ata variojnë në madhësi nga të vegjël sa një kokërr rërë dhe deri në të mëdhenj sa një top golfi.

Disa njerëz zhvillojnë vetëm një gur në tëmth, ndërsa disa të tjerë zhvillojnë shumë gurë në të njëjtën kohë.

 

Si krijohet llumi biliar?

Llumi biliar është shpesh pararendës i gurëve të tëmthit.

Ai përbëhet nga bilirubinati i kalciumit, mikrokristale të kolesterolit dhe mucina.

Llumrat zhvillohen gjatë ngushtimit të fshikëzës së tëmthit, siç ndodh gjatë shtatzënisë ose përdorimit të nutricionit parenteral total.

Llumrat në përgjithësi janë asimptomatik (nuk japin shënja) dhe zhduken kur gjendja primare zgjidhet.

 

Cilat janë simptomat që shfaqen te pacientët që kanë gurë në tëmth?

Rreth 80% e njerëzve me gurë në tëmth janë asimptomatikë.

Pjesa e mbetur ka simptoma që variojnë nga një tip karakteristik i dhimbjes, siç janë kolikat biliare dhe deri te kolecistiti apo kolangiti që janë kërcënuese për jetën.

Dhimbja e barkut është simptoma më e zakonshme e cila mund të shkojë deri në shpinë ose edhe poshtë krahut.

 

Sa mund të zgjasin dhimbjet?

Episodet fillojnë papritmas, bëhen intensive brenda 15 minuta deri në 1 orë, mbesin në një intensitet të qëndrueshëm deri në 12 orë dhe pastaj gradualisht zhduken brenda 30 deri në 90 minuta duke lënë një dhimbje të shurdhër.

Dhimbja është zakonisht mjaft e rëndë dhe i detyron pacientët të shkojnë në urgjencë për të marrë qetësues. Nauzea (përzierja) dhe të vjellat janë të zakonshme.

Ethet dhe të dridhurat ndodhin vetëm nëse është zhvilluar ndonjë kolecistit.

Mund të vërehet një butësi e lehtë në kuadrantin e sipërm ose një ndjeshmëri e lehtë epigastrike.

Të dhënat peritoneale mungojnë.

Mes episodeve, pacientët ndihen mirë.

 

Si bëhet diagnostikimi?

Ekografia e barkut!

Në pacientët me kolika biliare gjithmonë dyshohet se mund të kenë gurë në tëmth.

Ekografia e barkut është metoda më e përzgjedhur dhe më e mirë për zbulimin e gurëve të tëmthit, rezultatet janë të sakta deri në 95%.

Ekoja, gjithashtu, zbulon me saktësi edhe llumrat.

Ekografia endoskopike zbulon me saktësi gurët e tëmthit më të vegjël se 3 mm dhe mund të jetë e nevojshme vetëm nëse testet e tjera janë të dyshimta.

 

Cilat janë llojet e gurëve në tëmth?

Ka disa lloje të gurëve të tëmthit.

Gurët e tëmthit nga kolesteroli zënë afërsisht 85% të gurëve të tëmthit në botën perëndimore.

Gurët e tëmthit të kolesterolit formohen kur lëngu biliar është i tejmbushur me kolesterol.

Tejmbushja e lëngut biliar me kolesterol ndodh nga sekretimi i tepërt i kolesterolit, por mund të rezultojë edhe nga një rënie në sekretimin e kripës biliare.

Shumica e gurëve të tëmthit formohen brenda fshikëzës së tëmthit, por gurët me pigment ngjyrë kafe formohen në kanalet e fshikëzës së tëmthit.

 

Si bëhet kurimi i tyre?

Kirurgjia! Për gurët simptomatikë: Kolecistektomia laparoskopike (heqja e tëmthit me sondë) ose ndonjëherë shpërbërja e gurit duke përdorur acid ursodeoxycholic.

Për gurët asimptomatike: Mbajtja nën vëzhgim e situatës me kontrolle periodikë.

Shumica e pacientëve asimptomatike vendosin se sikleti, shpenzimet dhe rreziku i kirurgjisë nuk ja vlen që të heqin një organ që kurrë nuk mund të shkaktojë sëmundje klinike.

Megjithatë, nëse shfaqen simptomat, heqja e fshikëzës së tëmthit kryhet për shkak se dhimbja mund të përsëritet dhe mund të zhvillohen komplikacione serioze.

Kirurgjia mund të bëhet me një teknikë të hapur ose laparoskopike.

Mosha e thyer zakonisht rrit rreziqet e çdo lloj operacioni.

 

A ka ndonjë mënyrë tjetër për shkrirjen e gurëve përveç kirurgjisë?

Për pacientët që nuk e pranojnë kirurgjinë ose që janë në rrezik të lartë kirurgjikal (si për shkak të çrregullimeve mjekësore shoqëruese ose moshës së avancuar), gurët e fshikëzës së tëmthit ndonjëherë mund të treten duke marrë acide biliare nga goja për disa muaj rresht.

 

Si është ecuria e sëmundjes (Prognoza)?

Pacientët me gurët e tëmthit asimptomatike bëhen simptomatike në një shkallë prej rreth 2% në vit.

Simptoma që zhvillohet më shpesh është kolika biliare, por nuk shfaqet ndonjë komplikacion i madh biliar.

Sapo të fillojnë simptomat e para biliare ato mund të përsëriten.

Kolikat biliare përsëriten në rreth 20 deri në 40% të pacientëve në vit dhe afërsisht 1 deri në 2% e pacientëve në vit zhvillojnë komplikacione të tilla si kolecistiti, koledokolitiaza, kolangiti, dhe pankreatiti i gurëve të tëmthit.

 

Si mund te parandalohet krijimi i tyre?

Acidi ursodeoxycholic nga goja mund të ndihmojë në parandalimin e formimit të gurëve në pacientët obezë të sëmurë, të cilët humbasin peshë me shpejtësi pas operacionit bariatrik ose gjatë një diete me kalori të ulta.

Rekomandimi i ndryshimeve dietike lidhur me konsumin e ulët të yndyrës është deri diku efektiv, pasi mund të zvogëlojë incidencën e sulmeve të kolikave biliare.

Për këtë veprim nuk ka prova se mund të shkaktojë shpërbërjen e gurëve.