Pediatrja dhe pneumologia Sonila Shala Boriçi: Pse nuk duhen borsa me akull, por të përdoren banja me ujë afërsisht 2° më poshtë se temperatura trupore, për afro 15 minuta

Me motin e ftohtë kanë mbërritur edhe virozat e stinës, ku vogëlushët janë një ndër kategoritë më të predispozuara për t’u prekur.

Në shumë raste, fëmijët kanë temperaturë të lartë e prindërit frikësohen e nuk dinë si të veprojnë.

Pediatrja dhe pneumologia Sonila Shala Boriçi tregon në “Life Pages” se çfarë është ethja apo temperatura e lartë e shpjegon më tej të gjitha rastet kur prindërit duhet të shqetësohen.

Pediatrja jep disa këshilla të dobishme për të njohur dhe për të përballuar nga afër këtë problem.

 

Çfarë është ethja?

Ethja përkufizohet si rritje e temperaturës tru-pore centrale mbi limitet e normës.

Temperatura tru-pore ka variabilitet individual, prandaj Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) konsideron normale temperaturën ndërmjet vlerave 36.5- 37.5°C.

 

Cila është temperatura që përcakton ethen?

Si pasojë e këtij variabiliteti të temperaturës centrale nuk ekziston një vlerë e vetme që përcakton ethen, por në përgjithësi pranohen vlerat kur temperatura rektale është më e lartë se 38°C dhe temperatura në sqetull më e lartë se 37.5 °C.

 

A është një shenjë alarmi për prindërit kur temperatura te fëmijët pëson rritje?

Dua të theksoj se ethja është shenjë e sëmundjes dhe nuk është vetë sëmundja.

Megjithëse prindërit i frikësohen shumë ethes, ajo është një përgjigje fiziologjike e organizmit dhe luan një rol shumë të rëndësishëm për mbrojtjen e organizmit nga agjentët infektive.

Tek fëmijët, temperatura ka variabilitet fiziologjik nga mëngjesi deri në darkë.

Temperatura është minimale gjatë orëve të para të mëngjesit (4-8 të mëngjesit) dhe arrin vlera maksimale gjatë orëve të pasdites (orëve 16-18).  Hiperpireksi (temperaturë e lartë) konsiderohet rritja e temperaturës trupore mbi 39°C.

 

Cilat janë sëmundjet që shkaktojnë ethen?

Në shumicën e rasteve, ethja shoqërohet me një sëmundje infektive, pra organizmi reagon ndaj një infeksioni viral apo bakterial.

 

Si duhet të bëhet matja e temperaturës?

Për matjen e temperaturës në kushtet e shtëpisë rekomandohet matja në sqetull me termometër elektronik.

Matja rektale e temperaturës nuk rekomandohet të përdoret rutinë tek fëmijët më të vegjël se 5 vjeç për shkak të invazivitetit dhe diskomfortit që ajo provokon.

Matja orale e temperaturës ka riskun e thyerjes së termometrit, prandaj nuk rekomandohet.

Matjet e temperaturës në vesh, në ballë apo në zonën inguinale nuk janë shumë të besueshme.

 

Cilat janë masat që duhet të marrë prindi për uljen e temperaturës te fëmija?

Ethja rrit metabolizmin e organizmit, si pasojë fëmija humb lëngje dhe peshë, prandaj jepini sa më shumë lëngje nga goja, në mënyrë që të garantoni hidratim të mirë të organizmit.

Gjithashtu, mos e detyroni të hajë e të qëndrojë në krevat nëse fëmija nuk dëshiron.

Visheni me rroba të lehta (jo shumë trashë) pasi lehtëson zbritjen e temperaturës.

 

Çfarë nuk rekomandohet në këto raste?

Nuk këshillohet përdorimi i kompresave me ujë në kokë dhe trup, pasi mund të krijojë parehati tek fëmija dhe në të njëjtën kohë vazokonstriksion dhe ethe.

Përdorimi tradicional i borsave të akullit nuk sjell asnjë përfitim.

Më tej nuk këshillohet përdorimi i kompresave me alkool (përfshi dhe uthullën, e cila është përdorur tradicionalisht) pasi provokojnë më shumë vazokonstriksion sesa vazodilatacion, të nevojshëm për shkëmbimin e nxehtësisë. Rekomandohet përdorimi i banjave me ujë afërsisht 2° më poshtë se temperatura trupore, për afro 15 min.

 

Kur duhet të fillojë përdorimi i barnave?

Vëmendja e prindërve duhet të fokusohet tek përmirësimi i gjendjes së përgjithshme të fëmijës.

Medikamentet antipiretike mund të administrohen tek fëmijët me ethe për përmirësimin e gjendjes të përgjithshme si dhe për uljen e temperaturës.

Deri në 38.5°C nuk rekomandohet dhënia e ulësve të temperaturës, pasi temperatura konsiderohet mbrojtëse e organizmit, këtu bëjnë përjashtim rastet e fëmijëve që kalojnë konvulsione febrile, tek të cilët temperatura rekomandohet të mjekohet në vlera me të ulëta.

Dhënia e antipirekut nuk modifikon dekursin natyral të sëmundjes dhe as nuk parandalon konvulsionet febrile.

 

Cilët janë medikamentet që rekomandohen në këto raste?

Antipiretiket kryesore të rekomanduar janë paracetamoli dhe ibuprofeni.

Të dy këto preparate nëse përdoren në mënyrë jokorrekte, mund të shkaktojnë efekte toksike akute nga mbidozimi.

Preferohet dhënia orale e tyre, përdorimi rektal rekomandohet vetëm në rastet e të vjellave, për më tepër supostet nuk duhet asnjëherë të ndahen, pasi përqendrimi i barit nuk është i shpërndarë në mënyrë homogjene.

Dozat për fëmijët llogariten gjithmonë mbështetur mbi peshën trupore të fëmijës.

Duhet të kontaktoni me pediatrin për të përcaktuar dozën e duhur të antipiretikut për fëmijën tuaj.

 

Kur duhet bërë konsulta me pediatrin?

Vlerësimi fillestar i fëmijës nga prindi është shumë i rëndësishëm për të evidentuar shenjat e para të sëmundjes.

Janë disa elemente që e bëjnë të domosdoshme konsulencën pediatrike si mosha më e vogël se 6 muaj, gjendja e fëmijës jo e mirë, i përgjumur, i irrituar, i grindur, i dehidruar, dhimbje koke, rigiditet nukal, temperaturë mbi 40 C.

Por edhe në rastet kur fëmija ka vështirësi në frymëmarrje, konvulsione apo vuan nga sëmundje kronike si sëmundje pulmonare, kardiopati, defiçencë imunitare, diabet etj., duhet t’i drejtohet pediatrit.

Prezenca e simptomave si: të vjella, diarre, elemente në lëkurë e ethe që persiston mbi 48 orë është shenjë që fëmija duhet të dërgohet për vizitë patjetër./ Intervistoi: Voltiza Duro