Ty dhe ëndrrave që çdo natë thurja duke gërmuar copëza dashurie brenda shpirtit tim… Ty, që ike nga unë ende pa ardhur.

Pyes veten, kaq e mërzitshme është të jesh brenda meje sa edhe Ti, pa më njohur mirë, u largove duke më lënë të zhytur në trishtim?

Nuk doja ta besoja se Ti, mrekullia ime, ike si një gjurmë e shëmtuar gjaku në tualetin e mallkuar, ike pa të ardhur keq për atë që po lije pas, për boshllëkun e kraharorit që kurrë s’do të mbushet, për shpirtin që kurrë s’do të gjejë paqe, pa Ty!

Të paktën të të shikoja vetëm njëherë…

Nuk e di se ku gabova, por di të them se Ti ishe e vetmja gjë e bukur e viteve të fundit.

Mrekullitë janë të kursyera në jetë!

Do doja të të kisha parë veç një herë në jetën që ti kishe brenda meje, në ato net kur nuk vija gjumë në sy sa të zbardhej dita, që të vrapoja për në spital.

Doja të të shikoja si e çmendur, sikur e parandieja që nuk do të mundesha kurrë më ta beja…

Por Ti, Ti nuk doje të më lije të jetoja me kujtimet e pamjes së një jete që nuk mundi të vinte…

Ti, që ma ndave shpirtin në mijëra copa, atë pasdite të urryer…

Nuk mund të ikje në atë mënyrë, sikur të mos kishe ekzistuar kurrë.

Nuk mund të më braktisje kështu…

Të të them që më mungon është pak, ndaj po të them se që kur Ti s’je më, unë nuk arrij të jetoj.

Doja të të shikoja të rriteshe e do e falja çdo pikë gjaku vetëm që Ti të ishe mirë…

Por Ti nuk dite të luftoje, për veten, për mua, për djalin që do të bëje baba për herë të parë.

Të dy qamë me ngashëri për Ty, por Ti, me sa duket, u mërzite shpejt nga ne, kurrsesi s’duhej të ikje…

Ikja jote më vrau thellë në shpirt, si një plumb i padalë që dhemb çdo sekondë.

Më le në trishtim dhe tani nuk gjej dot një rrugë për të dalë prej tij…

Ndoshta sepse unë nuk di të largohem, Ti e bëre këtë edhe për mua…

Sikur shpirti të kishte fjalë, me siguri tani do të të lutej e përgjërohej që Ti të ktheheshe sërish për të mos ikur më kurrë…

Si nuk mendove për atë që le pas?

Si nuk mendove që dhembja ime s’do të ketë shërim?

Përse u largove nga dy njerëz që do të jepnin jetën për ty?

Nuk e bëre mirë, jeta ime e pajetuar…