Jam një vajzë 20-vjeçare. Dua t’ju tregoj historinë time që të më jepni një mendim. Para një viti më vdiq mami nga një sëmundje e rëndë.

Dhimbja ishte e madhe, por më e madhe ishte vuajtja pas mungesës së saj.

Tani jetoj me tim atë dhe vëllanë 17-vjeçar.

Mund të jetonim shumë mirë së bashku, por ja që babi vendosi të martohet.

Për çudinë tonë edhe nusen e kishte gjetur.

Nuk di se si a çfarë, por na tha që kishin ndërhyrë disa miq të tij.

Unë dyshoj se na gënjen, por s’kam nga ta di.

Im vëlla është absolutisht kundër, por babi është përpjekur të argumentojë.

Thotë që ndihet i vetmuar dhe se një ditë ne do ikim në shtëpitë tona.

Unë nuk mund ta mendoj shtëpinë me një “nënë” tjetër, por kur mendoj që babi vuan, mbase dhe zemra më lëkundet.

Por ne nuk na mungon asgjë, do punojmë të gjithë, do jetojmë dhe do ndihmojmë njëri-tjetrin, pse duhet ta përziejmë bukën me njeri tjetër?

Ju lutem, më thoni mendimin tuaj, sepse unë ndoshta nuk di të gjykoj ftohtë.

Faleminderit!

 

Psikologia Elona Kormaku këshillon:

E dashur lexuese!

Letra juaj është pa dyshim një nga letrat më delikate jo vetëm për nga pesha e humbjes por dhe një lëkundje e thellë për ekuilibrin familjar.

Humbja e nënës është e rëndë për këdo e për më tepër për moshën që ju keni.

Sigurisht që kjo periudhë për ty është e mbushur me pështjellim ndjesish, emocionesh.

Trishtim, lëndim, mall, boshllëk etj., etj.

Por krahas kësaj ndodhie, ju keni pafund arsye për t’u ripërtërirë dhe për ta parë jetën me më shumë ngjyra.

Ju keni babain, një vëlla, të cilët do të mbeten familja dhe njerëzit e tu më të shtrenjtë.

Ju jeni duke jetuar stadin e moshës së rinisë së hershme dhe për fat mund të kuptoni mjaft mirë jo vetëm gjendjen shpirtërore të babait, por edhe ndjesinë e theksuar të vetmisë së tij.

Sigurisht që nëna juaj do të mbetet figura më e shtrenjtë e juaja, por edhe për babain, i cili krah saj ka kaluar vitet më të bukura të rinisë, me të cilën krijoi një familje dhe prej së cilës pati dy fëmijë, dhuratën më të bukur që mund t’i dhurojë një grua.

Ama… jeta vazhdon!

Babai është mjaft i ri për të zgjedhur që jetën ta kalojë i vetëm.

Babai yt tregohet mjaft realist kur ju thotë se një ditë, ti dhe vëllai yt do të largoheni nga shtëpia për të ndërtuar familjet tuaja dhe ai do të mbetet i vetëm!

Në këtë rast, ju duhet të përpiqeni të mendoni më ndryshe.

Të jeni realiste dhe të gjykoni jetën e babait tuaj në doza më pak egoiste.

Ju mund ta keni të vështirë të shihni babain tuaj në prani të një gruaje tjetër, por a e keni menduar ndonjëherë se si mund të ndihet ai i vetëm, kur ti do të jesh duke ndërtuar familjen tënde?

E kuptoj mjaft mirë që të tilla situata nuk na e bëjnë të lehtë zgjedhjen si për veten apo edhe për familjarët tanë.

Sigurisht që çdo zgjedhje e ka një kosto.

Ty, të mbetet të pranosh me qetësi zgjedhjen e babait dhe, në këtë mënyrë, do të mundësosh jo vetëm lehtësimin e dhimbjes, por edhe rigjenerimin sa më të shpejtë të familjarëve të tu.

Historia ka ndodhur 4 vite me pare, ribotohet per shkak te aktualitetit