Epoka e të ashtuquajturve “agjentë biologjik” ka zhvilluar terapinë standarde të imunosupresorëve. Kura me Infelximab apo Adalumimab, që ka ndryshuar të tërësi jetën e pacientëve

Dr. Visar Berisha, Gastroentereolog

Gama e sëmundjeve që përfshinë traktin gastrointestinal të poshtëm është e gjerë dhe komplekse.

Sëmundjet inflamatore të zorrëve (IBD) paraqesin një entitet në vete dhe përbëjnë një sfidë të rëndësishme në trajtimin dhe kontrollin e komplikimeve që ato sjellin.

Në shumicën e rasteve, sindroma inflamatore që shoqëron këto sëmundje është e gjerë, e përgjithshme dhe jo standarde.

Simptomat më të zakonshme që shoqërojnë sëmundjet inflamatore të zorrëve, janë: barkëqitjet e shpeshta dhe të pa kontrolluara nga ilaçet e rëndomta për trajtimin e barkëqitjeve dhe ushqimi, humbjet në peshë dhe prania e herë pas hershme e gjakut në jashtëqitje.

Jo rrallë, këto nuk janë shpërfaqjet standarde të sëmundjes.

Mund të jetë kapsllëku, fryrja dhe gurgullimat e zorrëve, kryesisht pas ngrënjës, anemia etj.

Por ajo që komplikon qasjen e mjekut për të identifikuar sëmundjet inflamatore të zorrëve, shpesh nuk janë simptomat apo shenjat, është qëndrimi pezhorativ që pacientët kanë ndaj problemeve që vijnë nga koloni (zorra e trashë), i ndikuar nga prejardhja kulturore e tyre.

 

DY SËMUNDJET KRYESORE

 

Dy janë sëmundjet kryesore që ndërtojnë sindromën inflamatore të zorrëve; Koliti ulceroz dhe sëmundja e Crohn-it.

Shenjat e tyre klinike janë është afërsisht të njëjta dhe të vështira për t’u dalluar nga pacienti.

Veç profesionisti i fushës përkatëse mund t’i ofrohet mundësisë së veçimit të këtyre dy sëmundjeve, mbështetur në sindromën klinike që ato shfaqin.

Pastaj, është endoskopia e poshtme dhe përmes saj, biopsia e mukozës së ndryshuar të zorrëve, që jep përgjigjien përfundimtare për praninë e sëmundjeve inflamatore të zorrëve (IBD) dhe llojin e saj, Kolitin apo Crohn-in.

Sindromën biologjike të këtyre sëmundjeve mund ta kthjellojmë edhe përmes të ashtuquajturve marker (markues) të inflamacionit, siç janë formula leukocitare, proteina c-reaktive apo një prej markerëve specifik inflamator për inflamacionet e zorrëve, kalprotektina.

Por të gjitha këto nuk japin përgjigje për lokalizimin, llojin dhe komplikimet e sëmundjes.

Me gjithë se kalprotektina dhe proteina c-reaktive janë tregues të rëndësishëm te dekursit klinik të sëmundjes.

Krejt këto zhvillohen nga dy prej ndërmarrjeve shumë të rëndësishme dhe përplotësuese njëra me tjetrën; endoskopia e traktit të poshtëm gastrointestinal (kolonoskopia) dhe biopsia e zorrëve.

Qoftë për të vendosur diagnozën fillestare (kolonoskopia dhe biopsia), qoftë për të indentifikuar ekzacerbimet, remisionet dhe komplikimet e sëmundjes (kolonoskopia).

Këto metoda janë standardi i artë për identifikimin dhe shoqërimin e IBD-s.

 

“AGJENTËT BIOLOGJIKË”, TERAPITË E PERSONALIZUARA

Ato që përbëjnë sfidën reale në përballjen me IBD është terapia dhe forma e të ushqyerit.

Çdo herë e më tepër kemi individualizim të terapisë, dmth që përgjigjiet e organizmit janë specifike, ashtu siç është edhe kultura individuale për t’iu përgjigjur me disiplinë sëmundjes kronike.

Epoka e të ashtuquajturve “agjentë biologjik” ka zhvilluar terapinë standarde të imunosupresorëve, si: Melsalazina, Sulfasalazina, Azathioprina… kortikoidet dhe agjentë tjerë suplementar, si vitamina D.

Infleximabi, Adalimumabi dhe agjentë tjerë biologjik ndërhyjnë në kaskadën e inflamacionit kronik, duke frenuar gjenerimin e faktorit nekrotik tumoral, TNF alfa.

Përmes kësaj, ulin përgjigjen inflamatore kronike me natyrë imunologjike dhe i japin kohë murit të zorrëve të rigjenerojnë vetveten.

Kështu, arrihet, në të shumtën e rasteve, të mbyllen edhe fistulat e zorrëve, të cilat janë ndër komplikimet e rënda të sëmundjes së Crhon-it.

Përparësia tjetër e terapisë biologjike është forma e të aplikuarit; merret në formë infuzive, ka një cikël të rregulluar me javë, pra nuk është ditore dhe shkon duke u rritur çdo herë distanca e marrjes së terapisë.

Kjo terapi, në të shumtën e rasteve largon fazat e përkeqësimit dhe kështu, rrit kualitetin e jetës.

 

SFIDAT DHE EFEKTET ANËSORE

Sfidat që dalin te kjo terapi, janë përvoja ende jo e mjaftueshme për të parashikuar efektet e saj anësore apo komplikimet.

Sot dihet se, për shkak të natyrës biologjike që kanë, këto ilaçe mund të krijojnë antitrupa në organizmin e marrësit dhe kështu, të vijë deri të refuzimi i terapisë.

Po ashtu, problematikë tjetër paraqitet kohëzgjatja e marrjes së kësaj terapie.

Sa do zgjasë trajtimi, kur do piqen kushtet për ndërprerjen e tij; nëse ndërpritet, si duhet të rifillohet me terapinë etj?!

Gjithsesi, këto sfida nuk e zvogëlojnë efektin e mrekullueshëm që këta agjentë biologjik po japin deri tani.

Më kohën, përgjigjet për të ardhmen do të vijnë.

E keqja është se sot, tek ne kjo terapi ende ka kosto të lartë financiare.

Nuk është arritur të futet tek lista e barnave esenciale dhe kështu paraqet problem të madh për qasjen e pacientit, deri tek kjo terapi.

Duke e përfunduar, duhet ta themi me plot gojën, se bazuar në përvojën tonë të deritanishme, me pacientë që vuajnë nga Sëmundjet Inflamatore të Zorrëve, terapia me Infelximab apo Adalumimab ka ndryshuar të tërësi jetën e pacientëve tanë.

Çfarë është koliti ulçeroz?

Koliti ulceroz është një sëmundje që shkakton inflamacion dhe plagë të quajtura ulçera, në mukozën e rektumit dhe zorrës.

Ulçerat e krijuara nga dëmtimi i mukozës shkaktojnë hemorragji dhe prodhojnë mukus.

Gjithashtu, një shenjë tjetër e inflamacionit të mukozës së zorrës është dhe diarrea (barkqitja).

Kur inflamacioni prek rektumin dhe pjesën e poshtme të zorrës kemi të bëjmë me proctit ulçerativ.

Kur prek krejt zorrën e trashë kemi të bëjmë me sëmundjen pankolit.

Koliti ulçeroz është i vështirë për tu diagnostikuar sepse simptomat janë të ngjashme me një tjetër çrregullim intestinal të quajtur sëmundja Crohn e cila në krahasim me kolitin ulçeroz shkakton inflamacion më të thellë të mukozës dhe prek pjesë të tjera të traktit tretës: zorrën e hollë, gojën, ezofagun dhe stomakun.

Koliti ulçeroz mund të shfaqet në të gjitha grupmoshat.

Zakonisht fillon midis moshës 15-30 vjeç dhe më pak i shpeshtë midis moshës 50-70 vjeç.

Crohn ose sëmundja e zorrëve të inflamuara

Për kolitin ulceroz është folur më shumë, ndërsa për Crohn ka më pak informacion.

Sëmundja e zorrëve të inflamuara, e njohur si sëmundja e Crohn-it, është një sëmundje e cila shkakton inflamacion (ënjtje dhe irritim) të cilësdo pjesë të traktit digjestiv, që ndryshe quhet edhe trakti gastrointestinal.

Pjesa e cila preket më së shpeshti është fundi i pjesës së zorrës së hollë, i quajtur ileum.

Gjatë sëmundjes së Crohn-it, inflamacioni kronik (që zgjat një kohë të gjatë) mund të shkaktojë paraqitjen e indit të dhëmbëzuar (të luspuar) në mbështjellësin e brendshëm të zorrës.

Kur krijohet indi i dhëmbëzuar, rrugët mund të bëhen të ngushta, duke bërë që ushqimi dhe jashtëqitja të lëvizin nëpër traktin gastrointestinal më ngadalë, e që mund të çojë në dhimbje, ngërçe dhe diarre.

Sëmundja e Crohn-it më së shpeshti fillon nga mosha 13 deri në moshën 30 vjeçe.