Prof. dr. Jera Kruja, Shefe e Shërbimit Universitar të Neurologjisë, QSUT: Një i moshuar është shumë i ekspozuar për të patur dhembje koke të ardhur nga shkaqe të tjera…

 

Dhembja e kokës është ankesa më e shpeshtë që kanë njerëzit, prek rreth 90% të popullatës dhe prevalenca shkon përgjatë gjithë jetës.

Te moshat e reja dhembjet e kokës janë më të shpeshta, zakonisht janë dhembje primare, kanë prirje për t’u zbutur ose zhdukur me kalimin e moshës.

Por ndërkohë ka dhembje koke që mund të vazhdojnë e për më tepër mund edhe të fillojnë me kalimin e moshës.

Pikërisht për këtë arsye, te të moshuarit dhembja e kokës është problematike sepse mund të sinjalizojë një problem shëndetësor më të rëndë.

Prof. dr. Jera Kruja, Shefe e Shërbimit Universitar të Neurologjisë, QSUT thotë se dhembjet e kokës te të moshuarit, mund të vijnë për probleme shëndetësore apo sëmundje të patrajtuara, që as ata nuk i dinë; sikurse mund të jenë sëmundjet cerebrovaskulare, hipotiroidizmi, hipertensioni arterial, neuroinfeksionet, aneurizëm, artriti, tromboza venoze cerebrale e deri te tumoret e trurit.

E megjithatë, sqaron doktoresha neurologe, jo në të gjitha rastet dhembjet e kokës te të moshuarit janë kaq shumë serioze, por mund të vijnë edhe për shkak të mbipërdorimit të medikamenteve ku ndërveprimi dhe mbivendosja e medikamenteve japin dhembje koke.

Por në të gjitha rastet, prof. dr. Jera Kruja, apelon për mos neglizhencë të dhimbjes së kokës sidomos te të moshuarit, kryerjen e një vizite mjekësore për ekzaminime më të thelluara për përjashtimin e ndonjë sëmundje.

 

A janë sinjale për sëmundje të tjera dhimbjet e kokës në moshën e tretë?

Dhembja e kokës është ankesa më e shpeshtë që kanë njerëzit dhe shkon prevalenca përgjatë gjithë jetës, për gjithë popullatën, rreth 90%.

Njihen më tepër dhimbjet e kokës që kanë fillimin në moshat e reja, migrena dhe ka një dekusht natyror që me kalimin e moshës, sidomos te gratë me fillimin e menopauzës stopohet, megjithëse ka raste që vazhdon edhe pas menopauzës.

Por nuk është vetëm migrena si dhimbje koke parësore, janë edhe dhimbje të tjera parësore të cilat ekzistojnë; p.sh. dhimbja e kokës intensive, mund të fillojnë në moshë të re por vazhdojnë gjatë gjithë kohës.

Prevalanca, që është shifra që tregon numrin e rasteve për 100 mijë banorë, mbetet po ashtu e njëjtë edhe në moshë të tretë.

Sa i takon moshës së tretë kemi të shprehura dhimbjet e kokës dytësore, pra dhimbje e kokës e ardhur nga shkaqe të tjera.

 

Cilat janë shkaqet më të shpeshta për dhimbjet e kokës në moshën e tretë?

Që nga sëmundja cerebrovaskulare, aksidentet cerebrale vaskulare, sidomos ato hemorragjike shoqërohen me dhimbje koke, fillon nga artriti temporal, për të cilën fillimi është në moshën e tretë; mund të jenë sëmundjet arteriale dhe trombozat venoze cerebrale; mund të jenë aneurizmat; dhimbja e kokës për shkaqe të prekjes së nervave karnial që janë nevralgjikë; janë tumoret e trurit që mund të japin dhimbjet koke; janë traumat dhe rrëzimet; mund të jenë neuroinfeksionet; mund të jenë metastazat kockore; glaukoma e cila manifestimin e saj të parë mund ta ketë me dhembje koke; hipotiroidizmi; apnea e gjumit; hipertensioni i pakontrolluar dhe hipertensioni arterial i pakontrolluar; personat që bëjnë hemodializë;mbipërdorimi i medikamenteve, ku ndërveprimi dhe mbivendosja e medikamenteve mund të japë përsëri dhimbje koke.

Një i moshuar është shumë i ekspozuar për të patur dhimbje koke.

 

Klasifikimi i dhimbjeve të kokës, lidhur me kohëzgjatjen?

Tentativat e para për të klasifikuar dhimbjen e kokës kanë filluar në vitet ’50.

Ndërsa sot ne po punojmë me një klasifikim i cili është përpunuar nga një grup i Shoqatës Internacionale të Dhimbjeve të Kokës dhe përditësohet vit pas viti.

Faktikisht ne kemi një përmirësim të 2018-ës, në këtë klasifikim çdo lloj dhimbje koke dhe kohëzgjatja e secilës prej tyre, duke parashtruar edhe problemin përkatës.

Në këtë klasifikim saktësohet kohëzgjatja e dhimbjeve të kokës, shkaqet etj. Është një udhëzues për të përcaktuar dhimbjet e kokës.

 

Atëherë doktoresha si mund të vendoset diagnoza?

Në diagnozën primare kur nuk fshihet pas asgjë tjetër, vetëm dhimbje koke, mjafton një anamnezë e thellësishme.

Pyetet pacienti si i filloi dhimbja e kokës, sa i zgjati, sa kohë ka me këtë dhimbje koke, me çfarë qetësohet, me çfarë acarohet, çfarë shenja shoqëruese ka, për të qenë sa më të saktë në diagnozë.

Në qoftë se doktori dyshon dhe kërkon që të përjashtojë një dhembje koke dytësore; p.sh. tumor të trurit, ne duhet të marrim disa të dhëna nga historia e pacientit, po kështu do të kemi nevojë të bëjmë një ekzaminim imazherik ose ekzaminime të tjera si gjak, matje tensioni arterial, sidomos te të moshuarit.

Në qoftë se te të rinjtë dhimbjet e kokës janë kryesisht primare, në moshat e treta përsëri dhimbjet e kokës prevalojnë por shtohen shumë raste kur dhimbjet e kokës janë shkaqe dytësore, duke paraqitur një problem shëndetësor më të rëndë.

Përse këto probleme shëndetësore nuk diagnostikohen në kohë?

Duke qenë se këto probleme shëndetësore kanë prevalencë të lartë duhet të aftësohen mjekët e familjes.

Sepse nuk ia del dot vetëm neurologu.

Disa vite më parë kemi bërë disa kurse disaditore me mjekët e familjes të Tiranës dhe të Durrësit për aftësimin e tyre në njohjen e problemeve shëndetësore kryesisht te të moshuarit, sidomos ato neurologjike.

Duhet të orientohen sa më drejt pacientët për problemin shëndetësor.