Audrey Hepburn, e cila mbahet si një nga yjet e kinematografisë të shekullit 20-të, si edhe ikonë e stilit dhe modes, njihej jo vetëm për punën e saj si aktore, modele dhe balerinë, por edhe për shpirtin e saj të madh humanitar.

Gjatë gjithë jetës së saj, Hepburn ka bashkëpunuar me UNICEF, si ambasadore e vullnetit të mirë.

Ajo besonte tek një tjetër bukuri përveç asaj fizike.

Më poshtë keni nga supershendeti.com 15 thënie nga Audrey Hepburn dhe pas tyre, historinë e jetës së kësaj dive “pa skadencë”

1. Besoj në shprehjen “Nesër lind ditë e re” dhe besoj në mrekullitë.

 

2. Zemra thyhet dhe kaq. Nuk ka përse të paragjykoni apo të tregoni me gisht askënd. Duhet të kesh fat, që të gjesh dikë që të vlerëson.

 

3. Njeriu njihet më mirë nga ato që thotë për të tjerët, sesa nga ato që thonë të tjerët për të.

 

4. Bukuria e një femre nuk pasqyrohet te nishani në faqe, por në shpirtin e saj; duket te dashuria që fal, te pasioni që ka.

 

5. Unë nuk kam nevojë për një dhomë gjumi, që të tregoj se sa femër jam! Hijeshinë time e tregoj edhe duke vjelë mollë, apo duke udhëtuar me tren.

 

6. Makijazhi të ndihmon të dukesh më bukur fizikisht, por nuk mund ta ndreqë shëmtinë e shpirtit: makijazhi nuk hahet.

 

7. Mundësitë e mira nuk gjenden në rrugë, kështu që kur të vijnë, duhet t’i rrëmbesh fluturimthi.

 

8. Eleganca është bukuria e vetme që nuk venitet kurrë.

 

9. Unë besoj se duhet të jesh e fortë, pikërisht kur gjithçka duket se po shkon mbrapsht.

 

10. Bukuria e një femre buron nga sytë, sepse ata, janë porta e zemrës së saj, streha e dashurisë.

 

11. Më me rëndësi është që të kënaqemi me jetën dhe të jemi të lumtur – kjo është e tëra që ka rëndësi”

 

12. Për buzë të bukura – flisni me mirësi. Për sy të bukur – shikoni më të mirën te njerëzit, kurse për qëndrim të bukur – ecni duke e ditur sikur kurrë nuk jeni vetëm.

 

13. Gjatë plakjes kupton se keni dy duar – një me të cilën mund të ndihmoni veten dhe tjerën – me të cilën mund të ndihmoni të tjerët

 

14. Shpesh kam nevojë për të qenë vetëm. Do të isha plotësisht e lumtur, nëse e vetme në banesën time, të mund të kaloja kohën nga e shtunë në mbrëmje – deri të hënën në mëngjes. Kështu karikoj bateritë..

 

15. Zgjidh një ditë dhe kënaqu plotësisht. Çdo ditë, ashtu siç vjen, njerëzit siç vijnë… Mendoj se e kaluara më ka mësuar të vlerësoj të tashmen dhe nuk dua që të shkatërroj asnjë moment, duke lodhur kokën me të ardhmen.”

 

AUDREY HEPBURN, SINONIMI I ELEGANCËS

Ikonë e jashtëzakonshme e stilit, Audrey është për të gjithë një model për jetën, e shenjuar nga vështirësi, por e pasuruar me arritje të mëdha….

Kush nga ne nuk është i familjarizuar tashmë me fustanin klasik, modelin e flokëve dhe perlat para dritares së Tiffany?

Ka arritur statusin e ikonës dhe është aty përkrah fustanit të bardhë të Marilyn-it dhe kostumit të Chanel.

Sigurisht se Marilyn është konsideruar femra më seksi në botë dhe Chanel një gjigant i industrisë së modës, por asnjë nuk e ka stilin apo klasin e Audrey Hepburn.

Padyshim se ajo është femra e vetme në botë, që është konsideruar murgeshë dhe njëkohësisht – femër jo konvencionale dhe kjo, falë hirit dhe bukurisë së saj. Femra që e bëri ikonë fustanin e vogël të zi.

Thjeshtësi, elegancë, sharm, janë tri fjalët, që përshkruajnë stilin e saj, që vazhdon edhe sot të frymëzojë gratë, dizajnerët e të pasionuarit pas modës nga mbarë bota.

Çfarë e ka bërë edhe më të dashur dhe e ka lartësuar atë në botën e modë,s është edhe dashuria e saj për dizajnerin Hubert de Givenchy.

Dhe ai e ka dashur gjithashtu aktoren e bukur, duke stiluar dhe krijuar veshje të veçanta pothuajse në secilin rol, që ajo ka interpretuar.

Këta të dy u bënë të pandashëm dhe me sharmin e Audreyt e hirin e Ginechy, ata shpikën trendin që mbretëroi në të ’50-tat në kopertinat e revistës Vogue, pasarela e filma.

 

IKONË E MODËS

Ajo kujtohet për stilin unik ashtu siç kujtohet për rolet e shumta, që ka interpretuar në filma përgjatë viteve.

Fustani dhe perlat në filmin “Mëngjes në Tiffany”, kapela në “My fair lady”, pantallonat Capri në “Sabrina” etj.

Por kur kamera ndaloi së funksionuari, sytë e Audrey për modën nuk e bënë asnjëherë një gjë të tillë.

Modeli i flokëve, pantallonat e ngushta, silueta elegante dhe ngjyrat bazike ishin që të gjitha sinonime të Audrey Hepburn.

Ajo u përmbajt nga ngjyrat e theksuara, duke preferuar të zezën, grinë dhe kafen, që ishin kryefjala e finesës dhe elegancës.

Ajo solli frymë italiane në Hollivud, me këpucë balerine dhe rripa të hollë rreth belit, ajo solli edhe sofistikimin e Parisit në Nju Jork, me bluzat me grykë të mbyllur thellë dhe palltot e gjata.

Dhe i solli tërë botës glamurin e Hollivudit, me veshje sateni dhe doreza të gjata.

Audrey në kohën e saj nuk ka pasur asnjë rivale dhe ende askush nuk e ka “rrëzuar” atë nga froni i modës dhe stilit.

Ajo është vajza e posterave të glamurit, modeste, asnjëherë egocentrike apo arrogante dhe gjithmonë mirënjohëse për famën dhe pasurinë.

Madje kështu vazhdoi të jetë gjithmonë duke u shprehur në një rast: “Asnjëherë nuk kam menduar për veten se jam një ikonë. Çfarë të tjerët mendojnë nuk do të thotë se dhe unë mendoj në atë mënyrë. Unë thjesht bëj punën time.”

Dhe ne gjithmonë do ta duam atë pikërisht pse bëri punën e saj.

 

BALERINA QË U BË AKTORE

Për ata që duan modën dhe kinemanë, për ata që e duan thjeshtësinë, por me hijeshi, për ata që e duan filmat e saj: Audrey mbetet një model unik dhe sot.

Audrey ka lindur në 1929 në Belgjikë.

Prindërit e saj do të divorcoheshin shumë shpejt dhe ajo do të jetonte vetëm me nënën e saj.

Fëmijëria e Audrey Hepburn nuk ishte e lumtur, as nuk mund ta imagjinoni mundimet dhe frikën që kishin kaluar kur ajo ishte ende shumë e vogël.

Merr pjesë në ngjarjet e organizuara për të mbledhur fonde kundër pushtimit nazist.

Në 1944, kalon një dimër shumë të vështirë për shkak të urisë dhe brutalitetit të forcave naziste.

Kjo përvojë traumatike do të bëjnë atë më të fortë dhe ta dojë edhe më shumë jetën.

Ajo u shpërngul në Londër në 1948, e pasionuar pas baletit, regjistrohet në Konservator, që do ta ndihmojë për të krijuar hirin e saj legjendar.

Mësuesja e saj Marie Rambert, megjithatë, e bind atë që ta linte botën e baletit, për shkak të fizikut të saj tepër të hollë dhe të brishtë, për arsyet shëndetësore dhe për shkak të kequshqyerjes që kishte pësuar gjatë luftës, që do ta shoqëronin gjatë gjithë jetës së saj.

Për këtë arsye, Audrey Hepburn vendos t’i përkushtohet në kinemase, ku edhe triumfoi…