Flet aktorja e monoperformancës “Udha e qumështit”, Egla Ceno: “Një popull, që harron është një popull i mjerë”

 

Nga Silvana Balliu

“Një popull që harron është një popull i mjerë”, kështu do ta niste rrëfimin e saj, aktorja Egla Ceno, e cila ka ngjitur në skenë premierën e shfaqjes “Udha e qumështit”, me regjisor Armand Bora.

Gjithçka zgjat 1 orë e 15 minuta, shfaqja do të jepet në çdo rreth të Shqipërisë. Vetëm nga një aktore, që është Egla Ceno…

Egla preferon të mos japë mesazhe, pasi mendon se askush nuk ka të drejtë të bëjë thirrje të tilla, por megjithatë nuk e mohon dot, që Teatri na edukon.

Edukimi është qëllimi kryesor dhe i vetëm i shumë veprave Teatrale.

Përmes kësaj interviste të shkurtër pyetje-përgjigje ne kemi dashur të bëjmë një rrëfim jo klasik, por të thjeshtë, për të përcjellë disa sekrete, që Egla i transmeton gjatë performancës “Udha e Qumështit”.

Në fakt, edhe vetë shfaqja nuk është brenda kornizave të teatrit klasik.

Ne zbuluam sa mundëm, ndërsa për një brez më të madh, rradha e qumështit mund të sjellë në kujtesën e tyre vërtetë një dramë! Besoj, ju kujtohet të gjithëve rradha e qumështit, e mishit, apo… edhe e bukës!

Ato ngritjet që pa gdhirë për një shishe qumësht, pritjen e gjatë apo grindjet, që nuk mund të mungonin, ato grindje që nuk mungojnë kryesisht në kohë pamjaftueshmërish.

Gra, të cilat rropateshin në radhë dhe ishte jetike për familjen ajo shishe qumështi.

Një vonesë pak minuta mund ta dënonte, duke e çuar në shtëpi me duar bosh dhe ky ishte dënimi më minimal…

Por, kjo është vetëm një parathënie, sa për të kujtuar, ndërsa vetë Egla ka një këndvështrim krejt tjetër, madje nuk e ka as kaq konkret, ashtu si në fakt duhet ta kishte një artiste e vërtetë, duke e parë në këndvështrimin e artit.

Duke qenë se je aktore e vetme në këtë shfaqje, a mendon se do të jetë e vështirë për ta përballuar publikun në 1 orë e 20 minuta?

Silva, kjo është një nga ato shfaqjet që sa herë që mbaroj provat i them vetes: pas kësaj nuk do bëj më Teatër për të paktën 1 vit…sepse shumë e lodhshme.

Nuk më lodh volumi i tekstit apo puna me të më shumë se më lodh një lloj “katrani” që buron nga 33 personazhet që janë shkruar nga Armand Bora, i cili është edhe regjisori i shfaqjes.

33 personazhe që kalojnë nëpërmjet zërit, trupit, emocioneve dhe mëndjes time.

Nuk më frikëson të qenurit vetëm në skenë, sepse skena dhe publiku flasin një gjuhë që unë ndiej dhe dashuroj, pastaj nuk jam vetëm.

Jam me 33 karaktere 🙂.

 

Cila ishte arsyeja më e fortë, që të bëri ta pranoje rolin?

Sfida të them të drejtën.

Kjo pjesë flet siç më pëlqen mua; pa dredhka, pa dorashka dhe pa iu dridhur zëri.

Dhe teknikisht do një përgatitje të lartë psiko-fizike.

 

A ngjan kjo performancë me një “One women show”

Ka gjasa, ka një komunikim të drejtpërdrejtë me publikun, ka situata komike, sarkastike, groteske.

Shumë nuanca.

Ndërthuren shumë stile të kërkuara nga autori dhe regjisori i shfaqjes.

Ndërthuren stile gjuhësore!

 

A jep ti si Egla në këtë shfaqje mesazhe te forta që e trondisin publikun, këtë shoqërinë tonë të mbyllur, dhe akoma më të mbyllur, për kohën në të cilën zhvillohet ngjarja?

Këtë le ta gjykojë publiku.

Një grua e re, nënë e një fëmije të vogël është arrestuar dhe procesuar se ka derdhur një shishe qumësht në radhë.

Por nuk është kjo çështja: nuk dua dhe nuk merrem me komunizmin në shfaqje, por me atë që është në gjëndje t’i bëjë njeriu njeriut.

Me atë që këto 33 karaktere i bëjnë një gruaje me dëshmitë e tyre.

 

A ka ndonje lidhje me moralin?

(Qesh). Jo, jo unë nuk e kam qejf moralin.

 

Më thuaj një mesazh që e tenton në këtë vepër?

As mesazhet nuk i kam qejf, as këshillat.

 

Personazhi që ti interpreton ka të drejtë, apo turma?

Nuk është çështje drejtësie, por çështje lirie.

Vepra me sarkazëm kujton që sot të paktën jemi të lirë të derdhim qumështin ku të duam… jemi të lirë edhe të marrim frymë (sarkazëm) sepse turma dhe mentaliteti i saj, fatkeqësisht nuk ka ndryshuar në shoqërinë tonë.

 

Koha i përket diktaturës komuniste në Shqipëri? Flasim për radhë qumështi apo jo?

Po, po, për radhë qumështi flasim.

Për një radhë që duhej të dilje që pa gdhirë për ta bërë.

Flet edhe për radhën e bukës, aty ku fshatarët nuk lejoheshin të ishin pjesë sepse “kishin lirinë” të hanin vetëm bukë misri.

Një i tillë është një nga 33 karakteret.

 

Po, por një mesazh do të ishte të mos harrojmë? Se një popull që harron rrezikon të vuajë dy apo më shumë herë të njëjtën histori?

Një popull që harron është i mjerë!

 

A eshte objekt seksi femra që ti luan në këtë monodramë?

Oh… unë i kam dhënë nuanca të holla në gojën e njërit prej 33 personazheve.

Më vjen ndot nga mendimet e tij ndaj “viktimës” së veprës, sa herë që i jap zë në prova.

 

Si ndihesh pasi ke dalë nga lëkura e këtij personazhi? A ke tronditje?

Çuditërisht ndihem e lehtësuar, sikur të kem hequr një barrë të rëndë që duhej ndarë me të gjithë.

 

Nëse një dite do të realizoje një “One Women show” a do të zgjidhje temë jetën tënde?

Jeta ime nuk i duhet askujt përveç meje.

Arti duhet të ngrejë zërin për “sikletet” sociale.

– Shumica e veprave teatrale kanë si qëllim vetëm edukimin! Ju pres në 22 shkurt në Skampa dhe javët në vazhdim në Tiranë.