Brunhilda Çela është një zonjë 47-vjeçare, nënë e dy djemve. Nëse e pyet për pasionet e saj, të tregon me shumë çiltërsi se ka disa syresh dhe i ndërthur me njëri-tjetrin nën një emër, “natyrë”…

Brunhilda ka punuar për 14 vjet si farmaciste pranë një farmacie bimore në Hartberg (Austri) dhe profesioni i saj e ka ndihmuar të njohë edhe përdorimin mjekësor, përpos atij zbukurues e aromatizues të bimëve dhe luleve, andaj recetat që ajo solli në Living, janë një eliksir natyral shëndeti.

Sot do t’ju tregojmë recetën e një shurupi mjekësor…

Ky shurup bëhet vetëm me lule të freskëta dhe sheqer pluhur.

Marrim një vazo të pastër me vëllim 0.5 litra, shumë lule (dy-tre duar me lule të freskëta e të pastra) dhe sheqer pluhur.

Lulet nuk duhen larë, vetëm i hapim mbi një letër kuzhine.

Fillojmë t’i vendosim në vazo, ku fillimisht do të shtrojmë një shtresë sheqeri rreth 1cm të trashë, dhe mbi të do të vëmë lulet duke i ngjeshur me dorë që të zënë ½ cm vend.

Kështu vazhdojmë me radhë shtresa-shtresa derisa vazoja të mbushet plot dhe në fund e mbulojmë me sheqer.

E mbyllim vazon mirë dhe e vendosim në një vend të rrahur nga dielli.

Pas disa ditësh do të vëmë re se vazoja do të fillojë të laget, dhe nga ky proces sheqeri merr lagështirën e luleve derisa krijohet një shurup i trashë, si mjalti, në ngjyrë të verdhë të bukur.

Kjo zgjat rreth një muaj.

Pas kësaj kohe e kullojmë në një shishe të pastër e të errët, dhe e ruajmë në një vend të freskët.

Për fëmijët e vegjël mjaftojnë dy lugë çaji në ditë, për fëmijë pak të rritur duhen 3-4 lugë çaji në ditë.

Emri i saj, nga latinishtja do të thotë “E para e pranverës”.

Aguliçja e pranverës – Primula Veris quhet edhe Primula Officinalis, që është bima mjekësore.

Në gjermanisht emri i saj përkthehet “Çelësi i qiellit”.

Këtë emër e ka marrë sipas legjendës ku Shën Pjetrit, kujdestarit të Portës së Qiellit (të parajsës) një herë i ra në tokë tufa e çelësave.

Çelësat lëshuan rrënjë dhe u shndërruan në një lule të bukur, forma e vendosjes së petaleve të së cilës të kujton tufën e çelësave.

Në vende të tjera ajo njihet me emra si: lule fati, lule pranvere, çelësi i martesës, (sipas legjendave, nëse një vajzë në fillim të kreshmës gjente një lule aguliçeje, ajo do të martohej atë vit), lulja e Pjetrit, çelësi i grave (pasi përdorej si bimë kurative edhe për gratë që nuk lindnin dot).

Në Mesjetë kjo bimë është përdorur si bimë kurative.

Murgesha e njohur për njohuritë dhe fuqitë e saj shëruese, Hildegard von Bingen, thoshte: “Vetitë shëruese të aguliçes hapin portat e qiellit”.

Në gjendje të njomë, gjethet përmbajnë deri në 1100mg vitaminë C.

Pra, një dorë gjethe të mbledhura në pranverë e të përdorura në formë sallate, plotësojnë nevojat e organizmit tonë për vitaminë C.

Kjo është edhe arsyeja pse në Mesjetë kjo bimë është përdorur kundër skorbutit.

Në mjekësi rrënjët e kësaj bime përdoren për çaj (2-3g bimë të grimcuara në 100ml ujë).

Ato lihen për 30 minuta në ujë të valuar.

Kjo sasi kullohet dhe pihet tre herë në ditë kundër sëmundjeve të shkaktuara nga të ftohtët si: kolla dhe acarimi i fshikëzës së urinës.

Ndërsa e gjithë bima e tharë dhe e grimcuar përdoret edhe për hundët e bllokuara dhe kundër sinusitit.

Aguliçja e zakonshme (Primula Vulgaris), ajo pa kërcell, përdoret vetëm për të kuruar kollën dhe ne mund ta përgatisim vetë një shurup mjekësor mjaft efikas, sidomos për fëmijët e vegjël./ LIVING